Tetori, Muaji Antitrafik – Aktivitete sensibilizuese e ndërgjegjësuese për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore
Këshilli i Qarkut Berat në kuadër të Muajit Antitrafik (muaji tetor), e në vijim të një tradite pozitive të krijuar ndër vite, lançon fillimin e këtij muaji ndërgjegjësues, i cili do të shtrihet në të gjithë qarkun lidhur me luftën kundër trafikimit të personave.
Këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluara, për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, aktivitetet ndërgjegjësuese do të jenë më të reduktuara dhe do të zhvillohen duke respektuar të gjitha protokollet shtetërore lidhur me parandalimin e këtij virusi.
Për këtë arsye, Këshilli i Qarkut Berat, ka vendosur të zhvillojë online një fushatë ndërgjegjësuese në bashkëpunim me shkollat e qarkut dhe të rinjtë, duke pasur si objektiv aktivitete sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, si një nga format më të renda të shkeljes së të drejtave të njeriut.
Trafikimi është një çështje që na prek të gjithëve dhe në të njëjtën kohë rrezikon të ardhmen e kujtdo.
Je 12 vjeç? 22 vjeç? 32 vjeç? 42 apo 92 vjeç? Mendon që trafikimi i personave duhet ndalur? Konkursi që hapet sot është për ty! Na dërgo krijimin tënd artistik: poezinë, prozën, pikturën, viztatimin, videon, fotografinë, inskenimin që lufton me fuqinë e idesë trafikimin e personave dhe je pjesë e konkursit. Punimet më të mira do të publikohen në faqen tonë zyrtare.
Kështu u reklamua nisma e Këshillit të Qarkut Berat, e cila gjeti mbështetje tek dhjetra të rinj, të cilët me punimet e tyre në pikturë, poezi, prozë dhe video përhapën mesazhe sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese. Edhe në këtë vit të vështirë, kemi përballë një sfidë tjetër atë të luftës kundër trafikimit online gjatë pandemisë së Covid-19, e cila është përhapur në mbarë botën.
Nën këtë nismë të gjithë së bashku kemi detyrimin qytetar, shoqëror dhe institucional të mendojmë për të gjitha viktimat e trafikimit, të cilat janë shfrytëzuar dhe trafikuar, të sjellim në vëmendje punën që bën secili nga ne për të luftuar trafikimin, të ngremë zërin për çdo rast shfrytëzimi apo abuzimi dhe, së bashku të ndihmojmë këdo që ndodhet në rrezik.
Galeria e disa nga punime














