Qendra Sociale

Nën moton “kujdesi për të moshuarit – mision social i përhershëm”, Qendra Sociale “Shtëpia e Përbashkët”, nën financimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Këshillit të Qarkut Berat, është një institucion i përkujdesit social për të moshuarit, i cili ofron shërbime për mbi 60 të moshuar, evidenton dhe plotëson nevojat bazë të të moshuarve me probleme sociale, synon respektimin e të drejtave, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe integrimin e tyre në shoqëri me qëllim shmangien e përjashtimin social.

Qendra Sociale “Shtëpia e Përbashkët” Berat, është kthyer në një strehëz të vërtetë sociale dhe argëtuese për shumë të moshuar, të cilët janë të vetmuar dhe në gjendje ekonomike jo të mirë. Në këtë Qendër, të moshuarit përfitojnë shërbime krejtësisht falas:

mbështetje psiko-sociale

– integrim në komunitet,

– përfshirje sociale,

– kujdes shëndetësor sipas specifikave,

– përmirësim i marrëdhënieve me familjen dhe ruajtja e vazhdimësisë së kontakteve me familjarët dhe të afërmit e përfituesve,

– ndërgjegjësim i opinionit publik rreth problemeve me të cilat përballet mosha e tretë.

Aktualisht Qendra Sociale “Shtëpia e Përbashkët” operon me një staf prej 8  personash  nga të cilët:

  • Përgjegjës i Qendrës / Psikologe 1 (një)
  • Punonjëse Sociale 1 (një)
  • Specialistë për Edukimin Qytetar  2 (dy)
  • Mjek me kohë të pjesshme 1 (një)
  • Infermiere 1 (një)
  • Animatore Sociale (Kujdestare) 2 (dy)

Kujdesi për të moshuarit mund të përmirësohet dhe situata sociale e tyre mund të bëhet më e mirë, nëse punojmë për të përmirësuar lidhjet, shtuar kujdesin dhe zgjeruar marrëdhëniet sociale komunitare.  Mosha e tretë është mosha që ka nevojë për këshillën, kujdesin, vlerësimin e shoqërisë dhe të të gjithëve!

Ekipi Multidisiplinar i kësaj Qendre, vlerëson në mënyrë të detajuar dhe  në vazhdueshmëri për përfituesit, në lidhje me problematikat, shqetësimet dhe progresin e bërë për realizimin e qëllimeve dhe objektivave të parashikuara në planin individual të zhvillimit. Lidhur me sa më sipër, trajtohen:

  •  tema të ndryshme psiko-sociale e shëndetësore,
  • teprapi loje e grupi,
  •  festime ditëlindjesh,
  • aktivitete brenda dhe jashtë Qendrës (ekskursione),
  • festime të festave zyrtare e ndërkombëtare,
  • punime kreative,
  • mbjellja e luleve dhe kujdesi për mjediset e Qendrës,
  • lexim i librave dhe shtypit të ditës,
  • lojra tavoline

Stafi i Qendrës sonë përpiqet të jetë sa më afër modelit të shërbimit familjar! Kujdesi për të moshuarit tashmë nuk është më një çështje e mbyllur e individit në nevojë. Përkundrazi, duke u fokusuar tek Politikat Sociale të Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, problemet e të moshuarve po vlerësohen si nga më prioritaret dhe moshimi po vlerësohet si një nga problemet e mprehta sociale me të cilat po ndeshet shoqëria jonë.