Qendra Mesjetare

Xhamia Mbret

Xhamia – Mbret, e mbi­quajtur ndryshe edhe e sull­tan Bajazitit, në gjendjen e sotme paraqitet tepër e trans­formuar nga faza e ndërtimit fillestar të fundit të shek. XV.

Gjatë viteve 1832-1833 mo-numenti rrezikohej të shem­bej, prandaj dhe iu nënsh­trua një ristrukturimi gati të përgjithshëm, duke iu përshtatur teknikave ndër­tuese dhe kushteve historike të kësaj periudhe. Xhamia bënte pjesë në kuadër të një kompleksi socialo – fetar, së bashku me godina të tjera, si teqetë, biblioteka, konakët e banimit të dervishëve, etj. Në anën veriore të xhamisë ndodhen edhe dy tyrbe (varre monumentale) të tra­jtuara me mjeshtëri nga ana arkitektonike.

Nga ndërtimi i fazës së parë, në fund të shek. XV, mund të vërehet ende sot bazamenti i minares, e cila është punuar në teknikën e kluasonazhit. Në ndërhyrjet e shek. XIX u shtua portiku i madh i pjesës veriore, ndoshta kjo për t’iu përgjigjur numrit të madh të besimtarëve gjatë proçesioneve dhe ceremonive fetare. Portiku është pak më i gjerë se balli i sallës së lutjeve. Mbi muret anësore, në formën e bazamentit, portiku qarkohet nga të tria anët me arkada mbi kolona guri në pjesën qëndrore dhe me pilastra – muri në këndet. Në brendësi të portikut, në murin verior të xhamisë, është ndërtuar një mihrab i dytë për besimtarët që qendronin në portik.

Përsa i përket interiorit, Xhamia – Mbret dallohet për kompozicionin e veçantë të pjesëve përbërësë.

Në sallën e lutjeve hyhet nga tre porta, dy anësore dhe një qëndrore, e cila realizon edhe lidhjen me portikun nga ana veriore. Kjo sallë është e tipit me çati druri me përmasa në plani­metri 15.40 x 12.10 m. Bren­dia e sallës së lutjeve furnizo­het me dritë nga gjashtë dri­tare për çdo anë, përjashtuar atë veriore, ku salla e lutjeve takohet me portikun. Mira­bi ndodhet si zakonisht nga lindja dhe dallohet për puni­min e bukur artistik të baso­relievit. Në krahun e djathtë të mirabit ndodhet minberi i lartësuar me shkallë që për­fundojnë në një platformë, vendi ku qëndron imami gjatë ceremonive fetare. Gji­thashtu, një punim të bukur ka realizimi i mafilit, i cili ngrihet në lartësi me kolona druri. Në planin arkitektu­ror, hyrja për në mafil reali­zohet nga shkallë të jashtme prej guri, të ndërtuara ngjitur me hyrjen lindore të sallës së lutjes. Edhe tavani është realizuar me një mjeshtëri të lartë artistike, ndërthurur me rozeta, me gdhendjet e drurit dhe ngjyrimet me ngjyra të shumëllojshme

Përsa i përket kohës së datimit, faza e parë e mo­numentit duhet të jetë gjatë periudhës së sundimit të sul­ltan Bajazitit II (1481-1512), fakt që mbështetet edhe nga mbishkrimi i deshifruar në mafilin e xhamisë. Këtë peri­udhë datimi e mbështet edhe arkeologu francez Leon Rey, i cili, duke u bazuar në emrin që mban, e daton atë në vitin 1492. Faza e dytë e datimit i përket periudhës së gjysmës së parë të shek. XIX, kur shto­het pjesa e hajatit me kolona­dë guri dhe suvatohet salla e lutjeve, duke imituar tekni­kën e skuadrimit të gurëve dhe të vendosjes së fragmen­teve të tullave, teknikë e cila vihet re poshtë suvasë së dëmtuar

 

Teqeja e Helvetive

Teqeja e Helvetive bën pjesë në një kompleks fetaro-social ku përfshihet edhe Xhamia Mbret, konakët e dervishëve dhe Teqeja e Sheh Qerimit dhe aktualisht është një nga monumentet e rralla me vlera arkitekturore dhe artistike të papërsëritshme.

Ndërtesa, që i takon gjysmës së dytë të shek. XVIII, dëshmon për një aktivitet të lartë ndërtimor në qytetin e Beratit gjatë periudhës së qeverisjes së Ahmet Kurt Pashës. Pikërisht, ndërtuesit të saj i kushtohet edhe dedikimi poetik i gdhendur mbi portën hyrëse të monumentit, nga ana perëndimore. Në qëndër të kompozimit qëndron semahane (salla e lutjeve); në anën jugore – një ambient varrimi (dhoma e varrit), ndërsa një portik interesant – në anën perëndimore. Salla e lutjeve ngrihet më tepër se ambientet e tjera, duke e bërë ndërtesën të duket më madhështore. Kjo ndërtesë duhet të jetë ndoshta pjesë e fazës së parë të ndërtimit, gjë që dëshmohet edhe nga vizita e Evlija Çelebiut në shek. XVII. Ajo është katrore nga jugu dhe ka nga ana lindore e veriore mafilin në formën e një ballkoni, tek i cili komunikohet nga jashtë me një palë shkallë të pjerrëta në ekstremin verior të portikut.

Në një fazë më të hershme, siç dëshmohet edhe nga gjurmët ende në muraturën e gurit, salla e lutjeve vazh-donte shtrirjen në pjesën lindore. Trajtimi i brendshëm i sallës së lutjes është mjaft i pasur. Në të spikatin shumë elementë gdhendjeje në dru, ashtu si në ndërtesat e tjera të kësaj periudhe, në banesat popullore të shtresave të pasura të qytetit.

Tavani është punuar me dru të gdhendur dhe pikturuar mjaft bukur artistikisht, ku në qendër formon një planimetri oktagonale. Po ashtu piktura dhe mbishkrime ka edhe në pjesën e mafil-ballkonit, ku vendoseshin muzikantët që shoqëronin ceremonitë fetare.

Portiku paraqitet i ngritur nga toka mbi një bazament për t’iu përshtatur relievit. Ai përbëhet nga 6 harqe dhe ngrihet mbi 5 kolona guri monolite dhe, së bashku me dhomën e varrit, janë am­biente që duhet të jenë ndër­tuar gjatë fazës së rindërtimit të teqesë nga Kurt Pasha në vitin 1782. Me një interes të madh është prezenca e një fragmenti prej kolone antike e stilit jonik me kanelyra, e ri­përdorur si prag komunikimi brenda dhomës së varrit drejt sallës së lutjeve.

 

Konakët e Dervishëve  (Shek. XIX)

Konakët e banimit të der­vishëve ndodhen në anën jugore të teqesë së Helvetive dhe ishin ambiente në shër­bim të ceremonive fetare që zhvilloheshin në këtë teqe. Pjesa e mbetur aktualisht, ka një shtrirje gjatësore lindje – perëndim, ku, në katin për-dhes janë vendosur ambien­tet e bodrumeve të hapura, të rezervuara kryesisht për kaf­shët; ndërsa në katin e sipërm gjënden dhomat e ndërtuara me mure prej guri dhe çati druri. Në gjithë gjatësinë e tyre konakët kanë një çardak me shtylla druri pa tavan.

Kompleksi i konakëve duhet të jetë ndërtuar gjatë shek. XIX.