Mjedisi ku shtrihet sot qyteti i Beratit duket se ka qenë i preferuar për aktivitet njerëzor qysh në prehistori. Gjurmët më të hershme të tij dëshmohen nga dy çekanë- guri të gjetur në muret e kalasë, e që i përkasin fundit të epokës së bronzit, (mijëvjeçari II para Kr). Me kalimin e kohërave, ky vend u kthye nga një ngulmim, në një qytet të mirëfilltë antik, në gjysmën e dytë të shek IV para Kr. Arkeologjikisht muret rrethuese të qytetit antik datojnë të ndërtuara në gjysmën e dytë të shek. IV para Kr. dhe përfshijnë një sipërfaqe prej 9.6 ha. Gjatë antikitetit qyteti kishte marrëdhënie me qytete të tjera të mëdha, si Apolonia, Dimalia, Bylisi dhe plotëson kuadrin e qyteteve të periudhës antike në zonën e Myzeqesë dhe të Mallakastrës.
Duke iu referuar Polibit, në 216 para Kr., qyteti besohej se ka qenë themeluar nga Kasandri, i biri i Antipatrit, regjenti i Maqedonisë gjatë fushatave të Aleksandrit të Madh në Persi. Nga ana tjetër, në antikitet krahina e Beratit dhe e gjithë zona kodrinore midis lumenjve Aps (Osum-Seman) dhe Ardaksan (Mati) përfshihej në bashkësinë politike të parthinëve dhe si kryeqëndra e tyre përmendet Partha. Qyteti përmendet gjatë luftës së dytë iliro-romake të viteve 219-218 para Kr. Tit Livi. Qyteti përmëndet gjithashtu edhe në shënimet e Çezarit, në luftën kundër Pompeut, në vitin 48 para Kr. Kryeqendra e pwrmendur nw pwrshkrime përputhet plotësisht me Beratin. Madje, edhe emri ilir Partha, shpjegohet me shqipen e sotme: e bardhë, një emër ky që qyteti duhet ta ketë marrë nga blloqet gëlqerore të kështjellës. Rreth pushtimit romak të qytetit, nuk dihet shumë, por nga gjetjet arkeologjike duket se ai e rimori veten shpejt.
Në antikitetin e vonë rëndësia e qytetit vjen në rritje, duke u barazuar njësoj me qëndrat e tjera përreth. Në vitin 533, në udhërrëfyesin e Hieroklit, qyteti përmendet me emrin Pulheriopoli, i cili mendohet se lidhet me emrin e Pulheries, qw ka kuptimin: i pasur, i shkëlqyer, i fortë.
Në mesjetën e hershme qyteti duket se hyn i vetëm, pasi shumë qëndra të antikitetit si Apolonia, Bylisi, Amantia, bien. Gjatë kësaj periudhe historia e qytetit është e mjegullt, dukuri kjo e njëjtë për të gjitha qytetet perëndimore të Bizantit. Megjithatë qyteti vazhdon të mbetet një qëndër e rëndësishme peshkopale.
Berati u pushtua nga Perandoria Bullgare në vitin 860; u rimor nga bizantinët në vitin 927 , dhe u pushtua përsëri nga Perandoria Bullgare në vitin 976 deri më 1018. Edhe pse emri Pulheriopoli humbet, qyteti qysh në fillim të shek XI fillon të njihet me emrin Belgrad (qyteti i bardhë). Ky emër është i vendosur gjatë pushtimit 150-vjeçar bullgar të zonës. Gjatë kësaj periudhe Berati ishte një qëndër e madhe kishtare. Deri në shek. X peshkopata e Beratit ishte në varësinë e mitropolisë së Durrësit dhe, pas shek. XI, ai kalon nën varësinë e Ohrit. Ndërsa në vitin 1432, sipas dokumentave osmane, Berati ishte kthyer në mitropoli.
Me shembjen e Perandorisë Bizantine nga Kryqtarët, në vitin 1204 Berati përfshihet nën Despotatin e Epirit. Pozita kyçe për zotërimin e Myzeqesë dhe zonës përreth e kthen qytetin në një rezidencë të Mihail Ëngjëll Komnenit, i cili i kushtoi vëmendje të veçantë rindërtimit të sistemit fortifikues të tij.
Në vitet 1280-1281 qyteti duket se merr një vlerë të vërtetë strategjike gjatë përballjes midis Anzhuinëve të Karlit I Anzhu dhe ushtrive bizantine të perandorit Mihail VIII Paleolog. Në vitet 1345-1346 ekspansioni i Stefan Dushanit përfshin edhe qytetin e Beratit së bashku me Kosturin dhe Kaninën. Në këtë kohë qyteti ishte nën zotërimin e familjes feudale shqiptare të Muzakajve, të cilët sapo filluan turbullirat e para, u bënë zotër të qytetit, duke e shndërruar atë në kryeqëndrën e zotërimeve të tyre
Në dokumentet politike të kohës, Muzakajt shfaqen qysh në vitin 1274 dhe mendohet ta kenë prejardhjen e largët nga Lavdari i Korçës. Ndërsa Gjon Muzaka e konsideronte prejardh-jen e mbiemrit nga vendi i Molosëve, që, i shtrëmbëruar ishte bërë Muzaka (Molosaku-Muzaka). Kjo familje pati një rol të rëndësishëm gjatë periudhës së mesjetës shqiptare dhe kundër pushtimit Osman.

Emblema e Muzakajve
Pushtimi Osman lidhet me shfaqjen e ushtrive të tyre në territorin e Shqipërisë në 18 shtator 1385 në betejën e Savrës (në Lushnje), kundër princit vendas Balsha II, i cili gjeti vdekjen në këtë betejë. Ndërsa humbja e koalicionit ballkanik në betejën e Fushë-Kosovës, më 15 qershor 1389, si dhe vrasja e shumë princave vendas, duket se u hapi rrugë pushtimeve osmane në Ballkan. Nga dokumentet ekzistuese kuptohet se Berati u mor nga turqit dy herë. Hera e parë, gjatë fushatës verore të vitit 1417 që përfundoi me marr-jen e Kaninës, Vlorës dhe Gjirokastrës; ndërsa Barleti dhe Xhon Muzaka, kronikanë dhe bashkëkohës të ngjarjeve, aludojnë për një pushtim të qytetit rreth vitit 1450
Gjatë rezistencës 25-vjeçare kundër pushtimit Osman, të udhëhequr prej Skënderbeut, qyteti mori një rëndësi të madhe strategjike. Kjo periudhë e lidh Beratin me luftërat për zotërimin e qytetit, midis osmanëve dhe Skënderbeut. Berati gjatë këtyre viteve lidhet edhe me disfatën më të madhe që pësoi ushtria e Skënderbeut, më 26 korrik 1455. Ajo përbëhej nga 5000 ushtarë të ndihmuar edhe nga 500 napoletanë, në bazë të Traktatit të Gaetas midis Skënderbeut dhe Mbretit Alfons V i Napolit, më 26 mars 1451.
Me vdekjen e Skënderbeut dhe me rënien e rezistencës pushtimi osman dhe sistemi i Timarit filluan gradualisht të mbizotërojnë. Me kalimin e kohërave dhe me rimëkëmbjen e jetës, qyteti njeh një zhvillim të jashtëzakonshëm urbanistik, sidomos gjatë gjysmës së dytë të shek. XVII. Në këtë kohë qyteti vizitohet edhe nga udhëtari i njohur turk Evlija Çelebiu.
Në fund të shek. XVIII – fillim shek. XIX, qyteti shndërrohet në qendrën e pashallëkut të Beratit, ku pashai më i spikatur ishte Ahmet Kurt Pasha. Por, me vdekjen e tij, qyteti përfshihet nën suazën e pashallëkut të Janinës, duke ruajtur pozicionin e tij strategjik të këqyrjes së rrugëve tregtare për në Myzeqe.
Gjatë Rilindjes, që nisi në mesin e shek. XIX dhe u finalizua me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912, shumë prej familjeve të qytetit luajtën një rol të rëndësishëm. Më e famshmja prej tyre ishte familja e Vrionasve, dy prej të cilëve kanë firmosur edhe Deklaratën e Pavarësisë
Gjatë regjimit të Mbreti Zogu I (1928-1939) Berati e afirmoi veten si një nga qendrat me rëndësi ekonomike dhe kulturore të vendit.
Në Luftën e Parë Botërore qyteti pushtohet nga trupat austro-hungareze. Më pas, gjatë Luftës së Dytë Botërore, qyteti pushtohet fillimisht nga italianët, më 1939, dhe më pas nga gjermanët. Në këtë kohë qyteti bëhet një qëndër e rëndësishme guerrilase e rezistencës antifashiste. Berati gjithashtu njihet gjatë Luftes së Dytë Botërore për kompromisin ndërmjet komunistëve dhe nacionalistëve (1943). Më 22 Tetor 1944, Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar vendosi themelimin e Qeverisë së parë Demokratike në qytetin e çliruar të Beratit, selia e së cilës u zhvendos në Tiranë më 27 nëntor 1944.
Nën regjimin komunist qyteti njohu një zhvillim industral të konsiderueshëm. Gjatë kësaj kohe u ndërtuan Kombinati i Tekstileve “Mao Ce Dun”, uzina e baterive si dhe disa industri të tjera të lehta. Por, me rënien e regjimit, në fillim të viteve ’90 filloi edhe tatëpjeta e këtyre industrive, të cilat që me kohë ishin në krizë.
Qyteti është sot qendra administrative e rajonit dhe së fundmi, në vitin 2008 ai u bë pjesë e UNESCO-s.