Legjenda e qytetit

Mijëra vjet më parë jeton­te një Zanë shumë e bukur. Një ditë ajo u takua me dy vëllezër viganë, Tomorin dhe Shpiragun. Të dy vëllezërit ranë në dashuri me Zanën e bukur. Kaq fort ua trazoi zemrat të dy vëllezërve dhe kaq thellë atyre u hyri grind­ja për të, saqë shpërtheu lufta vëllavrasëse.

Tomori, duke patur një shpatë të shkëlqyeshme, i ra vëllait të vet më të vogël brinjëve, ndërsa ky i fundit, i armatosur me një topuz shumë të rëndë, iu turr me furi duke e goditur sa mundi më fort. Zoti, që shihte çdo gjë, u trishtua dhe u zemërua prej pamjes aq të dhimb­shme. Vëllezërit duheshin ndëshkuar për këtë mynxyrë që shkaktuan. Prandaj, Ai i ktheu fajtorët në gur dhe i dënoi të mbajnë ndër shekuj në trup gjurmët e këtij luftimi të tmerrshëm.

Që nga ajo kohë e lashtë e deri më sot, vëllai i madh, To­mori, i tregon diellit hapësirat e veta gropa – gropa dhe me vëllait të vogël, Shpiragut, kushdo që kalon në këto tre­va, i sheh brinjët e copëtuara e të thelluara vija-vija.

Por edhe shkaktarja e kësaj mynxyre, Zana e bukur dhe hirplotë, nuk duhej t’i shpëtonte zemërimit të Zotit, ndaj Ai e ktheu në një kodri­nëzë shkëmbore, mbi të cilën një ditë filluan të vendosen gurë mbi gurë dhe u ndërtua një kështjellë e madhe, e bu­kur, që qendron edhe sot ma-dhështore mbi qytetin e Be­ratit. Zana e bukur, që i donte vëllezërit, po jo zemërimin e tyre të derdhur mbi njëri-tje­trin, lotoi pa masë.

Ai lumë, që tani mban em­rin Osum, sipas legjendës, nuk është gjë tjetër veçse rrëkeja e lotëve, që lagu gurë e shkëmb dhe u derdh mes dy vëllezërve prej Zanës hyjneshë, për t’iu treguar se dhimbja për këtë fatkeqësi, asnjëherë nuk do t’ia shterë lotët