Itinerari Kuçovë

Qyteti i vogël i Kuçovës gjendet 17 km në verilindje të Beratit. Për të shkuar atje, duhet të ktheheni në Urën – Vajgurore (10 km nga Berati). Prej këtej ju mbeten edhe rreth 5 km deri në Kuçovë. Përgjatë kësaj rruge, në vendin e quajtur Meteor, rreth 2.5 km nga Ura – Vajgurore, gjendet aerodromi i Kuçovës , i pari i ndërtuar në Shqipëri, nga kompania italiane e naftës AIPA në vitet 1930.


Qyteti i vogël i Kuçovës sot përbëhet nga rreth 30 mijë banorë. Në shek. XVII ka qenë thjesht një qëndër e banuar. Më vonë, më 1928 u njoh si komunë në varësi të Beratit. Pas vitit 1950 qyteti njohu zhvillimin e tij më të madh ekonomik, social dhe demografik, pasi u kthye në qendrën më të madhe të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës në vend. Nafta e Kuçovës ishte e njohur si lëndë e djegshme (mbi sipërfaqe) qysh në Antikitet. Më
vonë, në fund të Luftës së Parë Botërore, më 1918, nafta u zbulua nga inxhinierë austriakë. Gjatë periudhës zogiste, në vitin 1928, u shpua
dhe pusi i parë në Kuçovë, i quajtur D-1. Nafta u shfrytëzua fillimisht nga kompania italiane AIPA, deri më 1943, ndërsa më 1944 ajo u shfrytëzua
nga ushtria hitleriane. Më vonë, përgjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX, burimet u shfrytëzuan nga regjimi komunist. Meqenëse
gjatë kësaj periudhe naftës iu dha një përparësi absolute, qyteti kaloi në një stad tjetër, duke u shndërruar në një nga qendrat më të industrializuara
të Shqipërisë. Në nder të miqësisë shqiptarosovjetike, më 10 korrik 1951, Kuçovës iu ndërrua zyrtarisht emri në Qyteti Stalin. Këtë emër qyteti e mbajti deri më 1990, kur rimori përsëri emrin Kuçovë.

Për këto arsye, peizazhi përreth dhe brenda qytetit është i dominuar nga impiantet e naftës, si dhe të fabrikave e uzinave të lidhura
me këtë industri. Terreni në Kuçovë është fushor e kodrinor, por, për shkak të pozicionit gjeografik, në skajin më lindor të ultësirës perëndimore
dhe të mikroklimës, këtu regjistrohen gjithmonë temperaturat më të larta në stinën e verës në të gjithë Shqipërinë

Aerodromi i Kuçovës

Baza ajrore në Kuçovë u krijua në vitin 1939. Projektimi dhe ndërtimi i saj u bë nga italianët, pasi fusha e aviacionit, e cila ishte deri atëherë në Otllak, nuk i plotësonte kushtet për një rikonstruksion dhe ishte larg prej puseve të naftës. Kjo bazë, fillimisht, është përdorur gjerësisht si për fluturime
civile, ashtu edhe për ato ushtarake, për shkak të pozicionit gjeografik dhe kushteve meteorologjike që e bëjne të favorshme për përdorim në çdo kohë.
Pas vitit 1944 baza ajrore kaloi në pronësinë e shtetit shqiptar. Në prill të vitit 1951 u krijua Regjimenti i Aviacionit Ushtarak Shqiptar, si një formacion i fuqishëm kombëtar; ndërsa më 15 maj 1955 u themelua regjimenti i aviacionit, i koduar “Peza 23”. Në këtë kohë erdhën nga Bashkimi Sovjetik edhe avionët e parë Mig-15 dhe më pas, me radhë: avionët Mig-17, Mig-19 dhe Jak-18, të cilët ishin më modernët e kohës.
Pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me BRSS, e gjithë baza ajrore u gjend në vështirësi, si për pjesë këmbimi, ashtu edhe për karburant. Në vitin 1967-68 u ndërtua këtu uzina e riparimit të avionëve, e cila u bë edhe baza kryesore e shërbimit për ta. Uzina arriti të prodhojë me sukses pjesë
këmbimi, sikundër edhe të bënte riparime komplet të avionëve luftarakë. Ndërsa në bashkëpunim me specialistët vendas, u arrit të prodhohej nafta TS1, e destinuar për fluturimin e avionëve. Në nëntor të vitit 2001 filloi rikonstruksioni i bazës ajrore në përputhje me standartet e NATO-s, në një bashkëpunim shqiptaro-turk. Pista e sotme ka një sipërfaqe prej 30.000m2, ndërsa rrugët lidhëse ndërmjet fundit dhe kreut të saj, kanë një sipërfaqe
prej afro 20.000 m2

 

Kisha e Shën Kollit në Perondi – shek. X

Kisha e Shën Kollit ndodhet në fshatin Perondi, 2.5 km në juglindje të qytetit të Kuçovës dhe përbën një nga monumentet më të hershme bizantine në rajonin e Beratit, që gjendet ende në këmbë. Në fillimet e tij monumenti ka qenë një bazilikë trinefshe, me nefin qëndror të ngritur më lart se dy anësorët. Në një fazë të dytë, gjatë përiudhës bizantine të vonë, kishës i është shtuar muri i narteksit dhe këmbanorja; kjo e fundit lidhet organikisht me murin e narteksit. Më vonë kisha pëson një meremetim tjetër, ku vihet re përdorimi i teknikës së kluasonazhit. Rindërtim tjetër i rëndësishëm është ai i vitit 1786, kur shtohen hajatet dhe rindërtohen çatitë me tavanet. Rindërtimi i fundit që transformoi së tepërmi arkitekturën e monumentit,
është ai në vitin 1931.

Në pamjen e sotme kisha vjen pas një ndërhyrjeje restauruese, e cila çliroi pjesën më të madhë të ndërhyrjeve të mëvonshme. Në brendësi të naosit, pjesët e mbetura ende të afreskut, i takojnë periudhës së shekujve XIII-XIV. Absida ndodhet në lindje dhe është një ndërtim tripjesësh, të dala në muraturë, ku qendrorja është më e madhe se dy anësoret. Më tipike në unikalitetin e saj, kisha e Shën Kollit në Perondi bëhet
nëpërmjet këmbanores, e cila mendohet të jetë nga më të hershmet në provincat bizantine të Ballkanit. Megjithë transformimet e shumta në shekujt e kaluar, ndërhyrja e specialistëve bëri të mundur që monumenti të rikthehet në identitet dhe të përfaqësojë sot një nga monumentet e kultit bizantin
më të spikatur në gjithë rajonin. Arkitektura origjinale dhe teknika e ndërtimit, e datojnë monumentin, si fazë të parë ndërtimi, në fundin e shek. XI.

 

Kisha e Kozares

Ndodhet rreth 10 km në veri të Kuçovës. Për të shkuar atje merrni rrugën e tregut të qytetit që ju çon në fshatin Kozare, 3 km nga qyteti.
Gjatë rrugës kaloni mbi lumin Devoll. Në qendër të fshatit ndiqni rrugën majtas. Kisha ndodhet rreth 7 km nga qendra e fshatit. Kisha është e tipit bazilikat dhe përbehet nga tri nefe; ai qëndror ka një gjerësi prej 4.4 m dhe një gjatësi prej 15.9 m. Dy nefet anësore kanë një gjerësi prej 2.1 m dhe gjatësi të njëjtë sa nefi qëndror. Nefet ndahen midis tyre me kolona prej druri. Vetëm naosi dhe absida i takojnë ndërtimit të parë, ndërsa narteksi në
anën perëndimore, hajati i mbyllur në anën veriore dhe hajati i hapur në anën jugore, i përkasin një rindërtimi të dytë të kishës. Absida ndodhet
në lindje dhe, në anën e jashtme, është nëntëfaqëshe, ndërtuar me gurë të skuadruar. Si pjesë integrale e murit të absidës, ndodhet edhe një
fragment stele varri antike e ripërdorur.

Në pjesën jugore të kishës ndodhet portiku (hajati) i përbërë nga 8 kolona rrethore prej guri, ku
mbështeten harkadat.  Narteksi i kishës paraqet një kuadrat në formë drejtkëndëshi me përmasa 10.7 x 5.8 m. Struktura ndahet në dy ambiente nëpërmjet një kolonade të përbërë nga tri kolona. Në të dy anët e narteksit ndodhen dy ambiente të tjera shërbimi. Në pjesën jugore ndodhet edhe
kambanorja e kishës, e cila mendohet të jetë një rindërtim i viteve `30 të shek. XX. Kisha e Ungjillizimit të Kozarës spikat së tepërmi për
vlerat që prezanton, sidomos për ruajtjen në një gjendje të mirë të afreskut mural, i cili shtrihet në gjithë sipërfaqen e brendshme të muraturës.
Në afresk paraqiten skena të ndryshme nga historitë biblike. Piktura e realizuar në afresk i përket veprës së vëllezërve Joan dhe Naum Çetiri.