Ikonografia

Berati është qyteti i mjeshtërisë së artit kishtar. Në mesjetën e hershme kishte gjashtë shkolla pikture dhe bukurshkrimi. Gjatë shek. XIV-XV, një varg ikonash dhe miniaturash janë riprodhuar në skriptoret e Beratit. Duke filluar prej shek. XVII, kur qyteti fitoi mëvetësinë, duke mbajtur lidhjet direkt me Patrikanën e Stambollit, Mitropolia e Shenjtë e Beratit u bë një qendër e rëndësishme e prodhimtarisë dhe e ruajtjes së vlerave të rëndësishme të pikturës bizantine dhe pasbizantine. Përfaqësuesi më i njohur i këtij arti është, pa dyshim, Onufri, piktor i shquar i afreskeve të stilit bizantin, me ndikime nga shkolla Rilindase Evropiane, kreto-venete. Gjeografia e krijimtarisë së tij përfshin një territor të gjerë në Ballkan, si: në Shqipërinë Qendrore, në Greqinë Veri- perëndimore, në Maqedoninë Perëndimore dhe në Rumani. Onufri ka ushtruar veprimtarinë e tij kryesisht në kështjellën e Beratit, ku ka realizuar afresket e kishës së Shën Todrit, gjithsej 13 afreske

Në Berat ai realizoi ikonat e famshme të ikonostasit të kishës së Evangjelizmos (në kala), të cilat janë kryeveprat e këtij mjeshtri. Ikonografia e Onufrit paraqitet harmonike përsa u përket ngjyrave, shquhet nga një formë e përkryer e realizimit të imazhit. Ai krijon një raport koloristik në ikona, me mbizotërim të ngjyrës së kuqe, që e përdor në një mënyrë mjaft mjeshtërore dhe tërheqëse, duke e organizuar atë në praninë e jeshiles në smerald, drejt një uniteti tekniko-artistik të paarritshëm nga ikonografët e tjerë.

Kodikët e Beratit

Deri në mesin e shek. VI kultura e Beratit ka qenë dëshmuar në gjetjet arkeologjike dhe në burimet e autorëve antikë. Prej shek. VI e më tej, fillon periudha e dokumentimit të tij. Kësaj kohe i takon Kodiku i Purpurt i Beratit, një prej prej versioneve më të vjetra të letërsisë ungjillore në shkallë botërore.

Kodiku i Purpurt i Beratit, ose Beratinus -1, mendohet të jetë shkruar “me dorën e vet Shën Gjon Gojartit” (Johan Chrysostomos që vdiq në vitin 407). Kodiku i Purpurt i Beratit është i shkruar me gërma të derdhura prej argjendi në pergamenë të kuq, që simbolizonte fillimisht madhështi perandorake, e më pas vlerat e shenjta. Shkrimi i tij është i pandashëm, (scriptio continua), me fjalë të ngjitura dhe me disa thekse karakteristike të greqishtes paramesjetare, periudha e të cilit mbyllet me shek. VI. Ai ka 190 fletë dhe përmban dy ungjij: sipas Mateut dhe sipas Markut. Deri në mesin e shekullit të kaluar ai ka qenë përdorur si libër liturgjie një herë në vit, vetëm në ditën e shënjtorit që e ka shkruar. Rëndësia e këtij dorëshkrimi rritet mjaft për faktin se dorëshkrimi i parë i letërsisë biblike, që i takon shek. IV, i njohur me emrin “Codex Sinaiticus” dhe që përmban pjesë të Dhiatës së Re, daton jo më shumë se një shekull e gjysmë pas tij.

Qysh kur njihet ekzistenca e këtij dorëshkrimi, janë bërë përpjekje për ta grabitur. Të parët që ranë në gjurmë të tij ishin frankët kampanezë, pra frankët anzhuinë të krahinës së Kampanjës. Në 6 korrik 1356 ushtria e car Uroshit rrethoi qytetin e Beratit dhe kërkoi menjëherë dorëzimin e Kodikut. Por një banor i qytetit me emrin Skuripeqi, bashkë me zonjën konteshë të shoqëruar nga murgu Theodulo, e shpëtuan dorëshkrimin.

Në Luftën e Parë Botërore ushtria austro-hungareze kërkoi ta merrte me vete Kodikun. Gjatë Luftës së Dytë Botërore komanda e ushtrisë gjermane kishte urdhër që të gjente dhe të rrëmbente me çdo kusht, përveç floririt të Bankës së Shqipërisë, edhe Kodikun e Purpurt të Beratit. Ushtria rrethoi Kishën Shën Gjergjit, por këshilli i kishës e fshehu dorëshkrimin nën tokë dhe i kërkoi ikonës së Shën Mërisë që t’i ndëshkonte nëse do të dëgjonte prej tyre një betim të rremë. Kështu sinodi u paraqit para ushtrisë gjermane dhe u betua para ikonës së Shën Mërisë se nuk dinte gjë se ku fshihej. Kështu dorëshkrimi shpëtoi dhe mbeti i fshehur edhe për më shumë se dy dekada.

Codex aureus Antimi ose Beratinus-2, përfaqëson kodikun e dytë më të rëndësishëm të Beratit, dhe është një dorëshkrim i shekullit XIX. UNESCO ka treguar një interes të madh për ruajtjen e kësaj trashëgimie unike të literaturës së vjetër liturgjike të historisë botërore. Codex aureus Antimi, ose Beratinus-2, është i njohur me këtë emër për shkak se është shkruar me shkronja ari. Në vitin 1886, studiuesi belg Batiffol, e quajti atë “d’Antimi”, në nder të peshkopit Anthimius Alexoudes, “miku i artit”, i cili i mbajti dy kodikët në shtëpinë e tij në kishë. Beratinus-2 përbëhet nga 420 faqe, disa miniatura dhe portrete të thjeshta. Dorëshkrimi ka përmasat 240 mm me 190 mm. Ai përfshin të katër ungjijtë. Shkronjat janë të gjitha prej ari dhe dorëshkrimi është në pergamenë. Teksti i takon periudhës të tekstit standart dhe përfshin disa shkronja gjysmë-unicial. Numri i referencës së Beratinus-2 është 143 (Gregory-Aland) në listën ndërkombëtare të dorëshkrimeve të Ungjillit. Ky dorëshkrim, i cili daton në shekullin e nëntë, u gjet në një kishë në Berat. Personi i parë që e ka bërë atë të njohur në qarqet e literaturës biblike, ka qenë peshkopi i kishës metropolitane të Beratit, Anthimis Alexoudes.

Kodiku përmban miniatura të thjeshta (portrete ungjillore). Origjina e këtij dorëshkrimi ka qenë dhe mbetet subjekt i shumë debateve. Në vitin 1967, pas një periudhe të gjatë, pikërisht kur mendohej se ata kishin humbur, të dy kodikët u rigjetën dhe, më 1971 iu dorëzuan Arkivit Qendror Shtetëror. Gjatë viteve 1970, sipas një marrëveshjeje ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Kinës, Codex Purpureus Beratinus Ф dhe Codex aureus Antimi u dërguan në Institutin e Arkeologjisë në Akademinë Kineze të Shkencave për restaurim. Riprodhime të njëjta janë krijuar që atëherë në mënyrë që kodikët të mund të jenë plotësisht të arritshëm për kërkuesit. Ata tani mund të ruhen për një kohë të gjatë, meqenëse faqet janë mbyllur hermetikisht në vakuum, midis dy fletëve prej qelqi. Pasi u restauruan, Codex Purpureus Beratinus Ф u nda në nëntë vëllime, ndërsa Codex aureus Antimi – në 21. Sot, ata ruhen në Arkivat Kombëtare Shqiptare në Tiranë, në një depo të financuar nga UNESCO.

 

Vlera e Kodikëve

Një dorëshkrim i vjetër sa Beratinus-1 ka rëndësi të vërtetë globale dhe ndihmon për të shpjeguar zhvillimin e letërsisë dhe të doktrinës ungjillore nëpërmjet kritikës tekstuale të veçantë. Gjurmët lindore dhe perëndimore të shkrimeve Syriac janë gjetur në tipologjinë e këtij dorëshkrimi, një teori kjo e mbështetur nga studiues të ndryshëm.

Beratinus 2 është një nga shtatë Kodikët e Purpurt në botë që kanë mbijetuar në ditët e sotme. Ai përmban shkrimet e Ungjillit nga periudha e tekstit standard. Ky dorëshkrim është një pikë referimi thelbësore në letërsinë ungjillore dhe në kulturën e krishterë në përgjithësi. Ai përbën një rekord unik të zhvillimit të letërsisë ungjillore dhe liturgjike të lashtë në botë (model nga shkrimet e ungjillore në minuscules).

Shoqëria Ndërkombëtare Biblike, me seli në Londër, po përkthen Testamentin e Ri të Dhiatës së Re, duke përdorur referenca nga dorëshkrimet më të vjetra në botë, me shpresën se ajo mund të prodhojë një tekst, i cili, nga një pikëpamje shkencore, mund të pranohet nga të gjitha kishat. Ajo i konsideron kodikët shqiptarë të jenë ndër themelet më të rëndësishme të kësaj nisme. Kodikët e Beratit janë të përfshirë në Regjistrin e Listës së Trashëgimisë Botërore.

 

Epitafi i Gllavenicës

Është një kryevepër arti datuar në vitin 1373 me përmasa 250×117 cm. Epitafi i Gllavenicës, një pëlhurë kërpi e qendisur me mëndafsh, ar dhe argjend. Mbi të konturohet figura e Krishtit të vdekur dhe figura të tjera serafinash, shënjtorësh dhe engjëjsh, me simbole lulore dhe zbukurimore, rrethuar me mbishkrimin në greqisht. Epitafi është bërë nga dora e një artisti shqiptar, të quajtur Gjergj Arianiti dhe është një nga tre veprat e këtij lloji në botë. Bizantologu i madh francez, Andrea Grabar, ka thënë se Epitafi i Gllavenicës është i dyti në llojin e vet në rrafsh evropian për shekullin XIV

 

Sixhilati i Beratit

Berati është i njohur edhe për traditën e shkrimeve në gjuhën orientale. Sixhilati i Beratit është një prej regjistrave më të rëndësishëm të ngjarjeve dhe protagonistëve të historisë së Shqipërisë dhe të Ballkanit për rreth katër shekuj. Ky regjistër ka 210 vëllime dhe përfshin të dhëna për pronat, popullsinë, funksionarët e administratës, luftrat dhe paqen, etj. Sixhilati i Beratit ka të dhëna prej Besarabisë deri në Gjibraltar.