Përshkrimi urbanistik
Ansambli muzeal i lagjes “Mangalem” shtrihet në for-më gjysmëharku në pjesën jugore dhe lindore të kodrës së kështjellës. Ky kompleks banimi mund të ketë qenë nga të parët që përfaqëson dukurinë e zhvillimit të qytetit mesjetar jashtë mureve të fortifikimit gjatë shek. XV-XVI, duke formuar në këtë mënyrë zonën e varroshit.
Arkitektura unikale dhe origjinale e banesave duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit. Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendo-sen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, e bëjnë këtë ansambël një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit. Ndryshe nga dy lagjet e tjera, “Mangalemi” ka një terren më tepër të aksidentuar dhe mundësia për të realizuar zgjidhje arkitekturore të lira mbetet më e kufizuar.
Banesat janë shumë të ngjeshura njëra me tjetrën dhe në pjesën dërrmuese janë të dimensioneve të vogla. Shumica e tyre janë pa oborr dhe pa kopshte, si pasojë, hyrjet e banesave dalin drejtpërsëdrejti në rrugicë. Për të shfrytëzuar çdo sipërfaqe të mundshme të terrenit për banimin, ambientet e katit të sipërm shpeshherë dalin në rrugicë në formë erkeri duke mos penguar kalimin e njerëzve poshtë në kalldrëm. Një hijeshi të veçantë arkitekturës së lagjes i jep edhe prezenca e radhës së dyqaneve në rreshtin e parë, aty ku aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e tyre biznese të ndryshme të qendrës historike të qytetit. Në shumicën e literaturës turistike, për vetë kompozimin arkitekturor të ansamblit të “Mangalemit”, Berati cilësohet ndryshe edhe si “Qyteti i një mbi një Dritareve”.
Ish – Sarajet e Pashait
Kompleksi i banimit të pashallarëve të Beratit gjatë gjysmës së dytë të shek. XVIII dhe deri në vitin 1945, shtrihej në zonën jugore dhe lindore të lagjes “Mangalem”, në pjesën e saj më të përshtatshme nga relievi për ngritjen e një sërë godinash dhe ambientesh ndihmëse. Në gjendjen e sotme ky kompleks ruan pak nga madhështia e dikurshme, pasi ndërhyrjet e mëvonshme kanë shembur shumë nga godinat e hershme dhe mbi to janë ndërtuar të tjera, duke prishur organikën e dikurshme të sarajit. Në gjendje rrënoje na vjen deri në ditët e sotme një strukturë e ruajtur ende në pjesën jugore të sarajit të dikurshëm. Bëhet fjalë për një strukturë prej guri ku ngrihet një sistem kolonash monolite prej guri me arkada sipër tyre. Kjo strukturë shquhet për cilësinë e mirë të punimit të gurit dhe për pamjen e hijshme arkitektonike dhe reflekton tek vizitori madhështinë e dikurshme të sarajit.
Një tjetër monument në ish – territorin e sarajit është Porta e Pashait, që paraqet një monument arkitektonik me shumë vlera për qendrën historike të Beratit. Shtrihet në lindje të sarajit dhe është një portë prej guri me qemer të dekoruar me altoreliev. Punimi i gurit të mermerizuar është realizuar me mjeshtëri të lartë dhe dallohet për fuga të holla llaçi midis gurëve, duke i dhënë monumentit një pamje të hijshme vizive. Më përpara, mbi portë, sipër ka qenë një kamerie soditëse dhe në të mund të arrihej nëpërmjet shkallëve prej guri, ndërtuar në krahun e majtë të hyrjes. Në gjendjen e sotme kameria nuk ruhet më dhe shkallët prej guri janë një restaurim i mëvonshëm. Në të dy krahët e portës gjenden dy ndenjëse (sofate), rreth 70 cm nga toka, prej guri, me pllaka sipër që shërbenin për uljen e njerëzve. Vlera të mëdha artistike ka sidomos altorelievi prej guri të punuar bukur që rrethon në tri anët e tij qemerin e madh prej guri. Aty paraqiten pjesë artistike dekorative të rozetave dhe motiveve të tjera floreale. Në pjesën e sipërme të sarajit, ende sot ekziston banesa e madhe e familjes së Vrionasve, e cila, megjithë ndërhyrjet e mëvonshme, përbën një stil banese me oborr, mjaft interesante për hapësirat e gjera dhe teknikën e ndërtimit të zbatuar në shumë elementë të saj
Xhamia e Beqarëve (shek. XIX)
Xhamia e Beqarëve është një monument me vlera të shumta arkitekturore dhe përfaqëson një arritje të lartë në nivelin e ndërtimit të objekteve të kultit islam në qytetin e Beratit. Ndodhet në anën e poshtme të lagjes Mangalem dhe u ndërtua gjatë gjysmës së parë të shek. XIX për t’u shërbyer esnafëve të beqarëve të qytetit, si një bashkim i zejtarëve të pamartuar, të cilët kryenin edhe detyrën e rojes së natës në pazar. Pjesët përbërëse të xhamisë janë: salla e lutjeve, hajati (portiku), minarja.
Salla e lutjeve përbën një planimetri drejtkëndëshe me përmasa 11 x 10 m. Në të hyhet nga ana e hajatit nëpërmjet një kalimi që është më i ulët se vetë dyshemeja e hajatit. Dy kolona druri të lidhura me një arkadë të ulët, ndajnë në dy pjesë sallën dhe mbajnë çatinë e tavanin. Në murin jugor ndodhet mihrabi, që në pjesën e sipërme zbukurohet me forma skalaktitesh. Në anën veriore të sallës së lutjeve është mafili në formën e një tribune, në të cilin hipet nga shkallët e minares. Salla është e shtruar me rrasa guri dhe ndriçohet me dritare të vendosura në dy radhë, në të katër faqet anësore. Hajati ndodhet në anën veriore dhe dallohet për hapësirën që kompozohet me rrethimin nga arkada të mbështetura në kolona guri nga të tri anët. Këtu ndodhet edhe një mihrab tjetër më i vogël për t’u ardhur në ndihmë besimtarëve gjatë lutjeve. Minarja që ndodhet nga perëndimi, është e stilit të ulët dhe ngrihet mbi bazamentin prizmatik. Karakteristikë për për këtë monument është aplikimi i pikturës murale në fasadat e jashtme dhe të brendshme. Piktura datohet në vitet 1827-1828 dhe shquhet për një nivel të lartë kompozimi, ku ndërthuren motivet floreale me elementë arkitektonikë.
Arkitektura e saj përshtatet mjaft mirë me përmasat dhe lartësinë e banesave përreth saj, dhe është bërë pjesë integrale e ansamblit ku ndodhet
Kisha e Shën Mëhillit (shek. XIV)
Kisha e Shën Mëhillit është ndërtuar në anën jugore të kalasë së Beratit, vendosur në një shkëmb të thepisur, brenda rrethimit të qytetit të poshtëm dikur. Kisha është një kapelë tipike bizantine e vonë, e tipit kryq i brendashkruar, pa mbështetje të brendshme, me kupolë mbi tambur dhe me narteks në anën perëndimore. Një hyrje gjendet nga ana perëndimore, ku, nga narteksi kalohet në naos dhe më pas në ambientin e altarit; gjithashtu një hyrje e dytë ndodhet nga ana jugore dhe komunikon direkt me naosin. Absida nga brenda ka formë të harkuar, ndërsa nga jashtë paraqi-tet trifaqëshe, ashtu si edhe kisha e Shën Mëri Vllahernës në kala.
E ndërtuar mbi një shkëmb, kisha është e pajisur me një oborr të vogël ku mund të soditësh pamjen e lagjes muzeale “Goricë” dhe lumin Osum. Në të shkohet me një palë shkallë të gurta, të ndërtuara në strukturën e shkëmbit nga ana e lagjes “Mangalem”. Edhe pse në shikim të parë duket një kapelë me përmasa të vogla, përsa u përket vëllimeve arkitekturore, si në pamjen e jashtme, ashtu edhe në atë të brendshme, monumenti është shumë i arrirë. Teknika e ndërtimit të pjesëve të kishës është me klausonazh (kombinimi i rreshtave të tullës me gurin) në gjithë planimetrinë e saj. Piktura murale që vishte pjesët e brendshme të kishës dikur, sot ruan vetëm gjurmë të pakta. Në dallim nga kishat e tjera të Beratit, këtu vërehen përpjestime më të zhvilluara, një nivel më i lartë arkitektonik dhe një prirje për përsosje të elementëve të veçantë. Duke u bazuar në format dhe teknikën e ndërtimit, monumenti duhet t’i përkasë periudhës së gjysmës së parë të shekullin XIV.