Lind Bashkia me emrin Dimal

Lind Bashkia me emrin Dimal

Këshilli Bashkiak i Urës Vajgurore, votoi për ndryshimin zyrtar te emrit të bashkisë, e cila këtej e tutje do të quhet Bashkia Dimal. Propozimi për kthimin e emrit “Dimal”, emër i kohë së lashtë ilire, mori 90 vota. Kryetarja e bashkisë Juliana Memaj e cila ka qenë edhe nismëtarja e këtij projekti u shpreh se ky votim do të hapë një perspektivë të re për të ardhmen e zonë.

“Sot është moment historik dhe shumë emocionues për të gjithë ne, që po ndryshojmë emrin nga Ura Vajgurore në Dimal” tha ajo.

I pranishëm në këtë ceremoni deputeti Fadil Nasufi premtoi dërgimin e këtij vendimi edhe në parlament institucioni që i jep formen zyrtare ndryshimit të emrit të bashkisë.

Eshtë hera e parë, që pas vitit 1992, kur u krijuan 36 rrethet e para në Shqipërinë paskomuniste, kur merret një vendim i tillë nga një bashki në vend. Emrin Ura Vajgurore, qyteti e mori mes viteve 1946-1947, kur në këtë lokalitet u vendosën çisternat e mëdha të vajgurit të cilat përpunoheshin në Kuçovë. Vendimi i këshillit bashkiak nuk ka si qëllim ndryshim kufijsh, por nisma synon që të zhvillojë këtë zonën përmes turizmit historik dhe përmes sitit të Dimalit, një nga qytetërimet më të vjetra të ilirisë, i cili daton nga vitet 200 para eres sone, thotë arkeologu veteran Burhan Dautaj që ka zbuluar Dimalin.

Ndryshimi i emrit nga Bashkia Ura Vajgurore, në Bashkia “Dimal” ka qenë një ide e hershme, e cila mori formë, kur Kryetarja e Bashkisë, Juliana Memaj nisi interesimin për qytetin e lashtë të Dimalit. Ajo ngriti edhe një grup pune për rijetëzimin e qytetit antik, grup pune që përbëhet nga arkeologë, gazetarë, regjisorë, intelektualë dhe banorë të zonës. Pas një fushate të gjatë për informimin në lidhje me këtë sit arkeologjik, aktiviteteve të shumta shkecore dhe me karkater edukues, si edhe pas konsultimeve publike me komunitetin, nisma do të marrë formë institucionale.