Muzeu Etnografik

Muzeu Etnografik

Muzeu Etnografik

Në vazhdim të vizitës, përgjatë rrugës që zbret nga kalaja, në pjesën e poshtme të qytetit, mund të vizitoni Muzeun Etnografik të qytetit

Banesa e Llavdës ndod­het në zonën tampon, gjatë rrugës kryesore për në kala. Pas restaurimit të ndërtesës, në vitin 1979, në ambientet e saj u vendos Muzeu Etnografik i Beratit. Kjo banesë karakteristike është aktualisht nga të paktat në gjininë e banesave me çardak, e cila vjen deri në ditët e sotme pa ndryshime të mëdha, duke ruajtur si vlerat e jashtme arkitekturore, po ashtu edhe ato ornamentike në brendësi të saj.

Ashtu si edhe në banesat e tjera beratase, edhe këtu shihet qartë ndërhyrja e fazës pas tërmetit të vitit 1851, kur janë modifikuar ambientet e katit të sipërm me kon­struksion skelet – druri. Një pamje impresionuese shfaqet në ndërtimin e çardakut të hapur, pa tavan, në krahun verior të banesës. Mjaft in­teresante në brendësi janë edhe dhomat e ndryshme, ku spikat trajtimi dhe kompozi­mi i odës së miqve me tava­nin, musëndrat dhe mafilin.

Muzeu Etnografik

Duke u përshtatur në muze, disa ambiente janë për­shtatur në varësi të guidës turistike, duke nisur që nga ekspozimi i objeketve të ndryshme, kostumet popullore, im­provizimi i një pazari të vjetër dhe duke shkuar në katin e sipërm me prezantimin e disa shembujve të dhomave me funksionet përkatëse dhe mënyrën e jetesës familjare të zonës së Beratit.

Objekte nga muzeu

Veshjet tradicionale

Veshjet e grave qytetare

Historia që ka patur qyteti reflektohet mirë edhe në elementët dekorues të veshjeve. Veshjet e qytetit si jakot, xhubet, jelekët, dallohen qartë nga ato të qyteteve të tjera të Shqipërisë për nga elementët e qëndisjes. Ato ruajnë diçka nga jehona e luksit bizantin. Për veshjet përdorej kryesisht copë e importuar, si kadife ngjyrë vjollcë, (rrallë vishnje), si edhe coha të zeza. Krahas tyre përdorej edhe cohë mëndafshi e një cilësie të lartë që shërbente për veshjet festive të vajzave të rritura të shtresave të mesme. Por, pa dyshim që në këto veshje gjejmë edhe ndikime orientale, si tek çitjanet, dollamaja, etj.

Slider image
 
Slider image
 
Slider image
 

Veshja e burrave qytetarë

Deri para vitit 1912 veshje tipike ka qenë kostumi me fustanellë. Këtu ajo kishte gjerësi më të madhe dhe jelekë e mëngore prej cohe të importuar. Për burrat e krishterë përdorej coha blu e errët e qendisur me gajtan mëndafshi të zi, ndërsa për myslimanët, jelekët dhe mëngoret qëndiseshin rëndë me fije ari. Për kohë të ftohtë kostumi plotësohej me flokatën piktoreske, e cila hidhej në një sup. Burrat e qytetit i lanë fustanellat disi më herët se banorët në fshat. Në shtresat e larta u futën kostumet moderne të kohës, ndërsa shtresa e mesme filloi të përdorte poturet me cohë të zezë, apo blu të errët. Shtresat e varfëra të qytetit mbanin poture të thjeshta prej shajaku.

Isopolifonia Toske

Në folklorin e pasur beratas një vend të rëndësishëm zë isopolifonia, e cila është dukuria – bazë muzikore në Shqipërin e Jugut. Ajo ndërtohet mbi bazën e një, apo disa zërave solistikë të shoqëruar nga një shtrat isoje, kënduar nga një grup këngëtarësh. Ate e gjejmë të kënduar në gëzime, dasma dhe festa të ndryshme, si nga burrat, ashtu edhe nga gratë. Megjithatë ispolifonia haset edhe në ceremonitë mortore. Në Shqipërinë e Jugut isopolifoninë e ndeshim gjerësisht të kënduar me dy zëra dhe shpesh të shoqëruar edhe me vegla të ndryshme muzikore si fyej, def, klarinetë, etj.

Për autenticitetin e përformimit të vlerave dhe vjetërsisë së saj, që në vitin 2005 isopolifonia është bërë pjesë e pasurisë botërore dhe mbrohet nga UNESCO.

Në zonën e Beratit isopolifoninë e gjejmë në formën me dy – dhe tri zëra kryesorë, të shoqëruar me iso, e cila përformohet nga zanorja ‘e’. Përmbajtja e këngëve është e ndryshme. Mes tyre gjejmë edhe këtë përshkrim të qytetit e të natyrës rreth tij

Berati plak me nam,
Çupë të vetme ka Kalanë.
Tomori me Shpiragë,
Dy male vëllezër janë,

Me Kalanë hodhën sevdanë.
Tomori kokën tek qielli,
Shpiragu nga fshihet dielli.
Kalaja ditë e natë qaj,
Osumi lotët e saj.

Për shkak të rëndësisë historike që paraqiste qyteti i Beratit në kohën e Perandorisë Otomane, por dhe të veçorive gjeografike të tij, formimi i muzikës qytetare, ndoqi deri diku tjetër rrjedhë nga ajo e qyteteve të tjera të Toskërisë apo dhe të Labërisë. Është nga të vetmet raste që kultura kompakte muzikore isopolifonike e qyteteve të jugut, u fqinjësua diku në qëndër të saj, me të dhënat e kulturës muzikore monodike perso-arabo-turke. Ndryshimi i muzikës së fshatrave rreth Beratit (që përfaqëson traditën e lashtë muzikore të zonës), nga muzika e qytetit në përgjithësi, është një tregues i ndryshimit të njësisë muzikore të dikurshme që ka patur qyteti i Beratit

Kështu, prej pushtimit turk e deri në fillim të shek. XIX, kultura muzikore e qytetit të Beratit shfaqet si një kulturë monodike, e kultivuar nga tajfat e muziktarëve, ndërkohë që konstatojmë se kultura e re muzikore qytetare, isopolifonike, fillon e zhvillohet aty në fillim të shek. XX nga formacioni i sazeve, paralelisht me muzikën popullore qytetare të Toskërisë. Në regjistrat osmane, qysh në shek. XVI, gjejmë të shënuar profesionin e muzikantit – orkestrant të Beratit, të quajtur me emrin mehter. Një të dhënë mbi ekzistencën e formacioneve muzikore, interpretuese në Berat, e jep Evlia Çelepia (1670), i cili flet me respekt për grupin e muzikantëve që ishte ndër më të mirët. Gjithashtu Çelepia pohon se në Berat kishte me dhjetëra vende argëtimi, ku ndër të tjera interpretohej edhe muzika popullore.

Grupe polifonike të zonës së Beratit

Në përgjithësi, deri në vitet e para të shek. XX, kultura muzikore e qytetit të Beratit ishte një kulturë muzikore e interpretuar nga tajfat e muziktarëve, muzikë e cila në një pjesë të madhe të saj ishte e sjellë prej komunikimit të përhershëm tregtar dhe kulturor të qytetit të Beratit me vendet e tjera, dhe kryesisht me Turqinë