
Gorica
Ansambli i lagjes “Goricë” shpaloset në pjesën më të ulët të një lartësie kodrinore, që kurorëzohet në majë me një fortifikim të periudhës antike. Nga pjesa tjetër e qytetit atë e ndan lumi Osum, dhe deri vonë, mënyra e vetme e komunikimit ishte nëpër-mjet urës së Goricës. Sipas Çelebiut, në shek. XVII lagjja numëronte 200 shtëpi, ndër-sa pamjet e sotme arkitektonike të banesave, ashtu si edhe dy lagjet e tjera, u janë nënshtruar rindërtimeve të thella pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 1851. Disa banesa dhe porta, në ballin e tyre mbajnë pikërisht datimin e kësaj periudhe rindërtimi, pra, të gjysmës së dytë të shek. XIX.
Relievi paraqitet i ndarë në brezin e sipërm të lagjes, që, për vetë lartësinë, konfi-gurohet kryesisht me banesa të vogla dhe mesatare që shpeshherë janë mjaft të ngjeshura me njëra-tjetrën. Ndërsa pjesa e brezit të poshtëm, pranë lumit, paraqet një truall ku ndërtimet kanë një vendosje pak a shumë të lirë. Në këtë zonë gjenden disa banesa të mëdha, kryesisht të tipit me çardak, që duket se u përkasin periudhave të shek. XVIII. Këto banesa ishin në pronësi të shtresave të pasura të qytetit, në dallim nga banesat e brezit të sipërm që zotëroheshin kryesisht nga shtresat e mesme qytetare. Në qendër të lagjes, vazhdimësinë e linjës së banesave e thyen prezenca e kishës – tip bazilike të Shën Spiridhonit.
Ura e Goricës <strong>(Shek. XVIII) </strong>
Ura e “Goricës” përmendet për herë të parë në shek. XVII nga udhëtari osman Evlija Çelebi, prej të cilit mësojmë se fillimisht ajo ka qenë me konstruksion prej trarësh lisi, që vendoseshin mbi këmbëza prej guri. Si një nyjë mjaft e rëndësishme lidhëse midis dy pjesëve të qytetit në shek. XVIII (1777), sipas një shënimi nga një libër i kishës së Shën Gjergjit, ura e “Goricës” u ndërtua me konstruksion guri nga sundimtari vendas i pashallëkut të Beratit, Ahmet Kurt Pasha. Në vitin 1880 ajo u rrëzua nga vërshimet e shumta të Osumit. Ndërhyrjet e shpeshta në konstruksionin e saj, deri vonë në vitet `30 të shek XX, e kanë transformuar shumë monumentin nga ndërtimi origjinal. Por, për të parë formën origjinale me harqe dhe kurrize, na vijnë në ndihmë gravurat e vizitorëve të huaj të fillimit të shek. XIX si Stokli dhe Krokell, ku duken qartë detajet të cilat aktualisht janë tjetërsuar.
Në gjendjen e sotme ura e “Goricës” përfaqëson një urë të tipit me shumë harqe, me pjesën kaluese të rrafshët në qendër dhe me pjerrësi në hyrje dhe në dalje. Gjatësia e urës arrin në 127 m dhe përbëhet nga shtatë qemerë gjysmërrethorë, me hapësirë drite nga 6.7m (i pari djathtas), deri në 16.5 m maksimumi (i dyti djathtas). Në të gjashtë këmbët janë çelur dritare shkarkuese të mëdha dhe në pesë prej tyre, mbi to janë hapur nga dy dritare më të vogla. Nga 6 këmbët mbështetëse, 5 prej tyre janë ndërtuar me çarëse për të ndihmuar rrjedhën më të shpejtë të ujit
Përveç karakterit të saj funksional, ura e “Goricës” është mjaft e njohur edhe për festën e hedhjes së kryqit në lumin Osum, në çdo 6 janar, me rastin e festës së Ujit të Bekuar
Kisha e Shën Spiridhonit – Shek XIX
Kjo kishë pozicionohet pothuajse në qendër të an-samblit – muzeal të lagjes “Goricë”. Ajo paraqet një tip bazilikal trenefëshe, me tavan të rrafshët, të ulur në dy nefet anësore dhe që tipologjikisht u përket monumenteve të të njëjtit lloj të shekujve XVIII-XIX. Pjesët përbërëse të kishës janë: naosi, mjedisi i altarit, narteksi, portiku, këmbanorja dhe një ambient shërbimi në krahun e djathtë të naosit. Në naos, nefi qendror ndahet nga dy nefet anësore prej arkadave gjatësore të mbështetura mbi kolona prej guri me kapitel prej guri, të zbukuruar me stukoreliev. Interiori i kishës dallohet për vëllimin e bollshëm hapësinor, për lartësinë e konsiderueshme të nefit qendror dhe për dekorimin ornamentik kryesisht prej druri. Ikonostasi është ndërtuar prej druri dhe vendoset në gjithë gjatësinë përpara hyrjes për në ambientin e altarit

Hyrja për në kishë realizohet nga narteksi, ku sipër në gjuhën greke, i cili e daton ndërtimin e monumentit në vitin 1864. Po në krahun e hyrjes, ndodhet portiku, i cili vendoset mbi 9 kolona të ndërtuara prej rrathësh guri që mbështeten në baza të thjeshta katrore. Nga narteksi, me anë të një palë shkallëve, kalohet në mafil, ndërsa, me anë të shkallëve të tjera zbritet në bodrum, i cili mbulohet me qemerë guri. Absida ndodhet në lindje dhe është një ndërtim tri-pjesësh, të dala në muraturën, dhe ku qendrorja është më e madhe se dy anësoret. Punimit të absidës së mesit i është kushtuar një rëndësi e veçantë me realizimin e një dekori prej harqesh të rremë. Një punim mjaft cilësor i është kushtuar gurit gjatë ndërtimit të këmbanores, e cila gjendet në anën veriore.
I gjithë ambienti i kishës qarkohet nga një mur – guri dhe në të janë hapur dy porta, ku ajo kryesore, përmban edhe një mbishkrim sipër dhe ndodhet nga lindja. Piktura murale gjendet vetëm në muraturën e nefit lindor dhe konservohet pjesërisht.
Kisha e Shën Thomait – Shek XIX
Kisha e Shën Thomait ndo-dhet në jug të lagjes “Goricë” mbi një vend paksa të ngritur afër lumit Osum dhe të dukshëm edhe nga pjesët e tjera të qendrës historike. Pamjen e kësaj kishe e kemi të dokumentuar edhe nga një gravurë e Edëart Lear, realizuar në vitin 1848. Bëhët fjalë për një kishë të thjeshtë dhe me përmasa të vogla, ndërtuar me gurë gëlqerorë.

Kalaja e Goricës
Pozicioni gjeografik i fortifikimit të “Goricës” ka një rëndësi të veçantë pasi, së bashku me kalanë e Beratit, kontrollonin luginën e lumit Osum në zonën e saj më të ngushtë. Nga përmasat e vogla që ka, duket se ka pasur më tepër funksionin e vendqëndrimit të një garnizoni që kontrollonte kalimin në luginë. Fortifikimi shtrihet në një sipërfaqe rreth 1.5 ha, ku është e dukshme edhe sot një pjesë e mirë e mureve rrethuese së bashku me elementët mbrojtës në anën jugore dhe perëndimore. Në skajin verilindor, nga ana e greminës, fortifikimi paraqitet me një mbrojtje natyrore për shkak të pjerrësisë së terrenit, duke mos pasur nevojën e ndërtimit të mureve mbrojtëse. Linja e mbrojtjes natyrore në këtë mjedis shkon deri në 87 m gjatësi, në një vijë rashkulluese me faqen e kodrës.
Muret janë të ruajtura deri në një lartësi mesatare prej 0.9-1m nga toka. E gjithë sipërfaqja e mureve rrethuese, ekzistuese, shkon deri në 167 m gjatësi, me dy hyrje dhe me katër kulla mbrojtëse.

Hyrja kryesore ndodhet në anën perëndimore dhe, në krahun e djathtë të saj, mbrohet nga një kullë katërkëndore. Trashësia e mureve rrethuese shkon deri në 3.1 m.
Teknika e përdorur në ndërtimin e murit rrethues është e stilit pseudoizodomik, domethënë, me puni-min e pjesës së jashtme dhe të brendshme të gurëve kua-dratikë dhe trapezoidalë, si dhe me mbushjen në mes tyre me gurë të vegjël; ndërsa përdorimi i gurëve tranversalisht me linjën e murit, shërben për t’i dhënë atij një qëndrueshmëri sa më të madhe. Gurët janë të dimensioneve të mëdha dhe variojnë nga 2.5 m gjatësi, 0.5 m gjerësi dhe 0.4 m trashësi.
Nga teknika e ndërtimit të mureve dhe e elementeve mbrojtës të tyre, si dhe krahasuar me fortifikime të tjera të ngjashme, fortifikimi mund të datojë aty nga fundi i shek. IV – fillimi i shek. III para.Kr