Gjendet rreth 50 km në jug të Beratit dhe rreth 27 km pasi largohesh nga Poliçani. Qyteti është dhe qendra administrative e krahinës së Skraparit. Emri vjen nga sllavishtja – bullgare, që do të thotë: ujë i zi. Është vendbanim mesjetar i hershëm . Çorovoda ka qenë bazë e rëndësishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhe përmendet si qëndra e parë që u çlirua nga pushtimi nazist më 5 shtator 1942.
Pas Luftës së Dytë Botërore numri i popullsisë u rrit ndjeshëm, ndërsa në qytet u ngritën disa fabrika të vogla e objekte të tjera industriale. Pas rënies së komunizmit, shumë prej banorëve vendas u larguan drejt qyteteve të tjera. Sot qyteti prezantohet i vogël, i pastër dhe i gjelbëruar. Ai të ofron nuanca të forta nostalgjike, duke të shpalosur pamjet me rrugët, pallatet, dyqanet, apo parqet, që kanë ndryshuar shumë pak nga periudha komuniste.
Krahina e Skraparit është mjaft e pasur në histori, etnologji dhe folklore, të cilat reflektohen në shumëllojshmërinë e zakoneve, kostume-ve popullore, këngëve dhe valleve tradicionale. Një nga simbolet e zonës dhe me famë të madhe është pa dyshim rakia e Skraparit

Çfarë mund të vizitoni?
Kalaja e Qytetit
Në jug të qytetit, pasi kalon urën mbi lumin Osum, në një kodër të lartë në formë koni, ndodhet kalaja e Skraparit. Kodra e kalasë zbret në një reliev të pjerrët drejt lumit në anën veriore, pje-rrësi që e ruan edhe në anën lindore; kurse në anët e tjera, relievi vjen dhe zbutet. Një mur rrethues në planimetri eliptike, formon një fortifikim mesjetar në lartësitë e kodrës
Muri rrethues para-qitet më mirë i konservuar në pjesën veriore, ku fortifikimi formon një rrethim të dytë (Çitadelë) dhe paraqitet me mure që shkojnë deri në 3 m lartësi dhe 1.5-2 m gjerësi në disa vende. Në këtë pjesë vihet re prezenca e një kulle dhe e një muri kontrafortë, të cilët kishin njëlloj pjerrësie nga brenda për t`u bërë më rezistentë nga goditjet e jashtme. Gjithashtu, po në pjesën veriore, gjëndet një sterë katërkëndëshe (5×5.7m), e suvatuar me llaç-shamot (hi-droizolues). Në pjesët e tjera të fortifikimit, muri rrethues mungon, vetëm mund të dallohen paksa gjurmët e tij.

Nga teknika e punimit të mureve dhe nga burimet historike, fortifikimi i Skraparit i përket periudhës mesjetare si fazë e parë. Kronikat historike gjatë kryengritjes arbërore të vitit 1335, përmendin marr-jen e kalasë së Skraparit dhe të Tomoricës nga ana e kryengritësve.
Gjithashtu në udhëtimin e tij në Shqipërinë jugore, Evlija Çelebiu e përmend ende prezencën e këtij fortifikimi në shek XVII
Kanionet e Osumit
Nga qendra e qytetit ndiq-ni rrugën lindore, e cila, pasi kalon urën në qytet, fillon ngjitjen në kodër majtas. Duke vazhduar drejt, dilni jashtë qytetit dhe ndiqni rrugën, një pjesë e mirë e së cilës është e shtruar me asfalt. Kanionet e Osumit janë një provë e jashtëzakonshme gjeologjike dhe pamjet që ato të ofrojnë, kur i shikon nga afër, janë mbresëlënëse. Thellësia e tyre shkon deri në 120 m, dhe gjerësia 70m deri në 3m.
Gjatësia e turit të kanioneve është rreth 12 kilometra dhe përgjatë tij mund të soditni: Katedralen e Kanioneve, Portën e Djallit, Sytë e Kanioneve dhe shumë ujëvara. Gjatë rrugës që ju çon në fillim të kanioneve, ekziston edhe një shteg, 100 m pasi kaloni teqenë e Abaz Aliut, në krahun e djathtë. Zbritja është e butë dhe gjatë saj mund të shikoni ujëvara të mrekullueshme. Ndërsa, një pamje e jashtëzakonshme sipër kanioneve, është e mundur mbi urën e Prishtës, e cila ndodhet rreth 1.5 km nga teqeja.
Kanionet e Osumit janë një provë e rëndësishme e historisë gjeologjike në zonë. Ato janë klasifikuar si një nga vendet më të mira për të zhvilluar sportin e raftingut, në të gjithë Shqipërinë. Ky sport, ndonëse është në hapat e para, po njeh një përhapje dhe masivizim shumë të shpejtë.
Ura e Kasabashit (shek XVII)
Kjo urë futet në tipologjinë e urave simetrike me tre qemerë, me kurriz dhe me dritare shkarkuese. Nëpër këtë monument kalonte rruga e karvaneve Berat-Skrapar-Korçë. Mendohet që ura të jetë një vepër e arkitekt Kasëmit nga fshati Grëmsh; kjo mund të hamendësohet edhe nga emërtimi i urës: Kasabash-mjeshtër, Kaso-Kasëmi. Qemeri qëndror, i cili ka një vëllim më të madh, paraqitet me një konstruksion me majë të mprehtë me hapësirë – drite 12 m, ndërsa dy qemerët anësorë, janë më të vegjël në vë-llim dhe kanë formë gjysmë rrethore.
Qemeri kryesor sipër, konturohet nga një kornizë guri 5 cm e trashë. Edhe dritaret shkarkuese, ashtu si edhe qemerët anësorë, janë ndërtuar në formë gjysmërrethore.
Muret ballore janë ndërtuar me gurë – lumi të zinj, në formë pllake, me trashësi 10- 12 cm, me gjatësi jo më shumë se 25 cm; ndërsa fugat midis gurëve, janë shumë të theksuara. Në njërin krah mbi urë kalohet mbi një platformë të drunjtë. Ura e Kasabashit, nga teknika e ndërtimit dhe tipologjia, duhet t’i përkasë shekullit XVII.

Kanionet e Gradecit dhe Shpella e Pirogoshit
Pas Urës së Kasabashit, nëse vazhdoni ngjitjen dhe për 3 km, mbërrini deri te kanionet e mrekullueshme të Gradecit. Këto kanione, në disa vende ngrihen thikë – vertikalisht, rreth 750 metra lartësi, dhe përbëjnë një sfidë të vërtetë edhe për alpinistët profesionistë. Aty do ta gjeni veten të zhytur në qetësinë e pyjeve, apo të rrethuar nga gurgullimat e ujëvarave; ndërkohë do të keni mundësinë të vizitoni edhe një monument natyror mjaft impresionues: shpellën e Pirogoshit, shpella më e madhe në Shqipëri. Hyrja është në formë gjysmëharku, me gjerësi 10 metra, me lartësi 5 m, ndërsa thellësia arrin në 1252 m. Në brendësi ka kthina, puse dhe galeri që zgjaten mbi 120 m. Shpella ka dy degëzime dhe aty janë gjetur insekte pa sy, me madhësi 2 mm.
Nëse vendosni të hyni në shpellë, duhet të bëni kujdes, pasi ka shumë lakuriqë – nate. Rruga automobilistike është e pashtruar me asfalt, por e mirë. Nga gurorja, deri te shpella, duhen vetëm 15 minuta ecje e qetë.

Kryeqyteti i luftës
Pasi lë shpellën, vazhdohet më lart deri në fshatin Radësh. Aty ka një kryqëzim rruge, dhe, nëse dëshironi ta vazhdoni turin tuaj, vetëm në kontakt me natyrën, mund të ktheheni djathtas dhe vazhdoni rrugën përgjatë malit të Ostrovicës deri në fshatrat e Korçës, Vithkuq ose Voskopojë.
Ndërsa, ata që duan ta ndërthurin udhëtimin me një pjesë të historisë sonë gjatë Luftës së Ftohtë, mund të vazhdojnë majtas, duke ndjekur rrugën që përfundon në tunelet dhe vilat e famshme të udhëheqjes komuniste, në Krorëz. Pozicioni është mjaft i fortifikuar, në një lartësi mbi 1200 m mbi nivelin e detit. Njëkohësisht ai është i pajisur më së miri me të gjitha furnizimet e nevojshme, pasi ishte parashikuar si vendstrehimi dhe drejtimi për qeverinë komuniste, në rast lufte ose pushtimi të vendit, deri në 20 vjet! Rruga është në gjendje mjaft të keqe, por gjarpëron në shpatet e bukura të malit Rami. Mund të bëhet një pushim buzë rezervuarit të Mollasit, dhe të vazhdohet për në Krorëz. Distanca është rreth 10 km dhe shoqërohet nga një panoramë e mrekullueshme dhe e qetë







