Qendra Sociale "Shtëpia e Përbashkët"

Qendra Sociale “Shtëpia e Përbashkët” Berat, është një institucion i përkujdesit social, i cili ofron shërbime për 70 të moshuar, evidenton dhe plotëson nevojat bazë të të moshuarve me probleme sociale, synon respektimin e të drejtave, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe integrimin e tyre në shoqëri me qëllim shmangien e përjashtimin social.

Veprimtaria dhe aktiviteti i institucionit bazohet në pjesëmarrjen dhe përfshirjen e përfituesve, nxitjen e integrimit social, përkushtimin dhe profesionalizmin e ekipit në ofrimin e shërbimeve mbi bazën e metodës multidisiplinare të përkujdesit për moshën e tretë.

Qendra Sociale “Shtëpia e Përbashkët” Berat ka si objektiv të funksionimit të saj

  • Përmirësimi dhe rritja e llojshmërisë së shërbimeve në institucion
  • Përmbushja e nevojave të përfituesve
  • Mbështetja psiko – sociale
  • Garantimi i sigurisë dhe mirëqenies
  • Integrimi në komunitet, përfshirja sociale
  • Kujdesi shëndetësor sipas specifikave
  • Përmirësimi i marrëdhenieve me familjen dhe ruajtja e vazhdimësisë së kontakteve
  • Ndërgjegjësimi i opinionit publik rreth problemeve me të cilat perballet mosha e tretë.

 

Aktualisht Qendra Sociale “Shtëpia e Përbashkët”, operon me një staf prej 8 punonjësish, nga të cilët:

  • Përgjegjëse e Qendrës  / Psikologe, 1 (një)
  • Punonjëse Sociale, 1 (një)
  • Specialistë për Edukimin Qytetar, 2 (dy)
  • Infermiere, 1 (një)
  • Mjeku me kohë të pjesshme, 1 (një)
  • Animatore Sociale (Kujdestare), 1 (një)
  • Sanitare, 1 (një)

Qendra Sociale “Shtëpia e Përbashkët”, për të realizuar qëllimin e saj ofron shërbim për 70 të moshuar.

Mbështetje psiko-sociale – Evidentimi nga punonjësi social dhe psikologu, i problemeve që kanë të moshuarit, vlerësimi i tyre dhe ndërhyrja, duke shfrytëzuar të gjithë resurset sociale të mundshme. Këshillimi në grup dhe individual, duke krijuar mundësi të moshuarve të ndajnë mendimet, ndjenjat, emocionet, shqetësimet. Referimin e temave të tilla të ngjashme me problemet që ata përjetojnë si ankthi, depresioni, frika nga vdekja, vetmia etj. Mbështetje psiko-sociale, kur i moshuari ka nevojë të tregojë ndonjë shqetësim ose ankesë, gjithashtu edhe për ndonjë bisedë për të kaluar kohën e lirë. Të moshuarve me nevoja të veçanta, u sigurohet një mbështetje e duhur që të nxisë një mjedis pozitiv pa fyerje.

 

Shërbim mjekësor – Gjatë kësaj periudhe të gjithë të moshuarit kanë përfituar shërbim mjekësor. Në regjistrin e shërbimit mjekësor regjistrohen të gjitha rastet e dhënies së ndihmës mjekësore. Ky shërbim përfshin: Vizita mjekësore, diskutime mbi tema të ndryshme mbi shëndetin, Matje TA, Injeksione, Mjekime, Çështjet e higjenës personale, trajtohen në mënyrë të ndjeshme dhe praktike që ndihmojnë të moshuarin të krijojë dhe të zhvillojë një imazh pozitiv për veten.

 

Ushqim (kafe, çaj dhe dreka) – Të moshuarit kanë përfituar 100%  fondin e tyre ushqimor. Të moshuarve u ofrohet të konsumojnë kafe dhe çaj në mëngjes dhe dreka. Dreka përgatitet në bazë të menusë javore, e cila afishohet çdo fillim jave. Në hartimin e menusë mbahen parasysh sygjerimet e mjekut dhe mendimet e të moshuarve. Këto vakte merren sipas orarit të caktuar nga Qendra.

 

Shërbim sanitar – Për higjenën e Qendres kujdeset 1 sanitare.

 

Aktivitete sociale – kulturore brenda dhe jashtë institucionitPolitikat e Qendrës Sociale “Shtëpia e Përbashkët”, synojnë pakësimin e pabarazive sociale dhe varfërinë, janë thelbësore për plotësimin e mbështetjes së individit drejt plakjes aktive. Të moshuarit mundësohen të shpenzojnë kohën duke iu ofruar veprimtari sociale dhe argëtuese si psh: lojëra zbavitëse, domino, shah, punime me dorë, përditësimi me shtypin e ditës, aktivitete integruese si ekskursione, festim ditëlindjesh, festa etj.

 

Organizimi i aktivitetit të Qendrës Sociale “Shtëpia e Përbashkët”

Qendra Sociale “Shtëpia e Përbashkët”, ofron shërbime për përfituesit, 7 ditë në javë, nga e hëna në të dielë, orari 08:00 deri 14:00 çdo ditë.

  • Ardhja në Qendër;
  • Konsumimi i kafes ose çajit;
  • Marrja e mungesave;
  • Shërbim psiko-social dhe shërbim mjekësor;
  • Zhvillimi i temave  të ndryshme të përzgjedhura më parë nga stafi;
  • Organizim i lirë sipas dëshirës, aktivitetete ose festim ditëlindjesh
  • Servirja e ushqimit me ndihmën e stafit;
  • Organizim i lirë sipas dëshirës pas përfundimit të drekës;
  • Pastrimi i Qendrës;
  • Parapërgatitje për ditën e nesërme;
  • Mbyllja e Qendrës.

Për realizimin sa më të plotë të qëllimit të Qendrës Sociale “Shtëpia e Përbashkët”, të moshuarit kanë të drejta dhe detyrime në momentin që pranojnë të jenë anëtarë të Qendrës.

Konform Ligjit Nr .9355, datë 10.03.2005 “Mbi Ndihmën Ekonomike dhe Shërbimet Shoqërore” i ndryshuar me Ligjin Nr. 10339, datë 17.03.2011 dhe VKM NR. 425, datë 27.06.2012, “Për përcaktimin e kritereve dhe të dokumentacionit të nevojshëm për pranimin e personave në institucionet rezidenciale, publike dhe private, të përkujdesit shoqëror” KREU III në Qendrën Sociale “Shtëpia e Përbashkët”, do të pranohen:

 

Personat e moshuar, për t’u pranuar në institucionet e përkujdesit shoqëror, duhet të përmbushin keto kritere:

  • Vijnë nga familje pa të ardhura ose me të ardhura te pamjaftueshme.
  • Vijnë nga familje në nevojë, të vlerësuara nga administratori shoqëror.
  • Janë të vetmuar, të braktisur dhe pa të ardhura.
  • Kanë mbushur moshën për pension, sipas legjislacionit në fuqi.

 

Dokumentacioni i nevojshëm për t’u anëtarësuar në Qendrën Sociale “Shtëpia e Përbashkët”, përfshin:

  1. Kërkesë me shkrim nga vetë personi ose familja, nga të afërmit e tij/saj, apo administratori shoqëror i njësisë ku banon, me miratimin e personit të moshuar;
  2. Çertifikatë e gjendjes familjare;
  3. Fotokopje e kartës së identitetit;
  4. Fotografi të personit (2 copë);
  5. Raporti mjeksor që përcakton gjendjen shëndetësore të personit.;
  6. Vërtetim nga Sigurimet Shoqërore nëse përfiton ose jo pension pleqërie, apo ndonjë lloj tjetër pensioni;
  7. Vërtetimin e lëshuar nga administratori i njësisë së Ndihmës dhe Përkujdesit Shoqëror për gjendjen ekonomike të familjes së personit të moshuar.
  8. Vërtetimin nga Zyra e Tatimeve për aktivitet ekonomik.