Berati

10 Nëntor 2011, Comments 0

Berati është një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë. Dy çekanë guri të zbuluar gjatë kërkimeve arkeologjike dhe që i përkasin fundit të periudhës së bakrit vërtetojnë se qyteti ka qenë i banuar gjatë shek. XXVI – XVIII para Krishtit. Po ashtu gjetjet arkeologjike të shek. VII para Krishtit të çojnë në përfundimin se ngulmimi në atë kohë ishte një qendër ekonomike dhe tregtare. Berati u kthye nga një ngulmim në një qytet të mirëfilltë në gjysmën e parë të shek. IV para Krishtit. Themelimin e qytetit dhe shëndrrimin e tij në një fortifikim te rëndësishëm mendohet ta ketë bërë gjenerali Antipatros, regjent i Aleksandrit të madh. Nga Antipatros Berati mendohet të ketë trashëguar edhe emrin e tij të parë, Antipatrea. Gjatë luftërave të vazhdueshme Iliro – Romake Berati binte shpesh herë në kontrollin e njërës palë dhe herë të palës tjetër, derisa në vitin 168 para Krishtit ra përfundimisht nën kontrollin e Perandorisë Romake. Romakët ia ndryshuan emrin qytetit dhe e quajtën Albanorum Oppidium (Qyteti i Bardhë) pasi kishin parë murret dhe shkëmbinjtë e bardhë si dhe petkat e bardhë që vishnin banorët.
Dy historianët e parë që kanë shkruajtur për Beratin janë Polibi në vitin 216 para Krishtit dhe Tit Livi në vitin 200 para Krishtit. Polibi identifikon Antipatrean me Beratin e sotëm duke e përshkruar si një qytet të madh e me murre të forta dhe që ndodhej në një grykë të ngushtë ndërsa Tit Livi përshkruan luftën e egër të vitit 200 para Krishtit, midis Romakëve të udhëhequr nga Legati Apustius dhe banorëve të qytetit. Pasi mbërriti me ushtrinë e tij në Berat, Apustius u përpooq të bindte banorët që ta dorëzonin qytetin. Banorët nuk pranuan të binin në ujdi dhe si rrjedhoje Apustius e sulmoi dhe morri me forcë qytetin. Për tu hakmarrë për humbjet Legati urdhëroi që të vriteshin të gjithë meshkujt mbi 16 vjeç, të grabitej dhe ti vihej zjarr qytetit.

Comments are closed.