Investitorë Gjermanë shfaqin interes për Rajonin e Beratit

1 Korrik 2012, Comments 0

Dy biznesmen gjermanë kanë vizituar qytetin e Beratit për të parë nga afër mundësitë reale qe ofron ky qark për investimet gjermane si edhe për të kontribuar në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Hans Muller dhe Michael Albert përkatësisht president dhe drejtor ekzekutiv të shoqatës ekonomike Gjermani – Shqipëri u shoqëruan gjatë vizitës së tyre në Berat nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Gjermani z. Valter Ibrahimi si dhe nga koordinatori i shoqatës ekonomike Gjermnai-Shqipëri për qarkun e Beratit z. Petrit Revania.

Qëllimi i vizitës ishte zgjerimi i bashkëpunimit të Qarkut të Beratit me Gjermaninë në dy fusha kryesore: 1. Projekte të karakterit public në infrastrukturë, arsim, shëndetësi etj. 2. Bashkëpunimi i bizneseve private midis dy palëve.

Në Këshillin e Qarkut ata u pritën në një takim të veçantë nga sekretari i Përgjithshëm Dritan Haznedari. Pas fjalëve të mirëseardhjes zoti Haznedari ka vlerësuar maksimalisht kontributin e shtetit gjerman për vendin tonë. Duke u ndalur veçanërisht tek ndihma që mund të japin investitorët gjerman tek ne ai vlerësoi fushat specifike për të cilat pala gjermane ka shfaqur interes. Gjithashtu bëri një ekspoze të qarkut të Beratit, të zhvillimit ekonomik, social, demografik etj. Veçmas ai u ndal tek resurset natyrore të Beratit dhe zhvillimi i bujqësisë apo industrisë agro-përpunuese. Një fushë tjetër e cila mund të jetë me interes në kuadër të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve u theksua edhe ajo e turizmit sidomos pas futjes së qytetit të Beratit në UNESCO.

Miqtë gjermanë vlerësuan qytetin e Beratit dhe u ndalën tek mundësitë reale të bashkëpunimit jo vetëm në kuadër të shoqatës por edhe duke kontribuar në lidhje të bizneseve mes dy vendeve.

Me propozim të Presidentit Müller, në kuadër të vizitës së një grupi të zgjeruar biznesmenësh gjermanë, do të organizohet në fund të shtatorit, Konferenca Ekonomike Gjermani-Shqipëri, Qarku Berat.

Comments are closed.