KËSHILLI I QARKUT ZHVILLON KONFERENCËN E ZHVILLIMIT RAJONAL

12 Qershor 2012, Comments 0

Nën siglën “Punojmë për zhvillimin Rajonal”, u zhvillua në Berat Konferenca e Zhvillimit të Rajonit. Kjo konferencë ka sjellë përpara një auditori të përbërë nga përfaqësues të pushtetit vendor, drejtorive të ndryshme rajonale dhe grupeve të interesit, ka sjellë prioritetet e zhvillimit si edhe projektet e cilësuara strategjike, ku institucioni i Këshillit të Qarkut mendon të investojë në vitet e ardhshme për të përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve. Projektet si edhe prioritetet u hartuan nga specialist të K. Qarkut në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore si dhe grupet e interesit, në kuadër të projektit “Mbështetje e Integruar për Decentralizimin”, projekt i financuar nga BE dhe PNUD.

Prej dy vitesh ky projekt ka përfshirë edhe Këshillin e Qarkut të Beratit duke ndërmarrë gjithashtu edhe rritjen e kapaciteteve në mbështetje të gjithë aktiviteteve. Projekti ka patur si objektiv familjarizimin e komunitetit me rezultatet e procesit të planifikimit strategjik dhe zhvillimin e projekteve për Qarkun e Beratit, përmbylljen e procesit të konsultimeve të Strategjisë së Zhvillimit Rajonal, si edhe njohjen e arritjeve të përfshira në planifikimin strategjik dhe zhvillimin e projekteve në Qarkun e Beratit.

Në çelje të konferencës, drejtuesi i projektit të PNUD-it Robert Girejko ka përshëndetur gjithë punën e bërë nga specialistët dhe drejtuesit e Këshillit të Qarkut në Berat. Ai ka theksuar rëndësinë e hartimit të prioriteteve dhe të projekteve të cilësuara jetike për një zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm të rajontit të Beratit, sikundër edhe të gjithë rajoneve që ka përshirë ky projekt. Girejko, në fjalën e tij është ndalur midis të tjerash tek rritja e kapaciteteve në mbështetje të të gjithë aktiviteteve që K. Qarkut do të ndërmarrë në të ardhmen.

Duke u ndalur tek rëndësia e zhvillimit të rajonit, kryetari i Këshillit të Qarkut Petrit Sinaj theksoi midis të tjerash rëndësinë e hartimit të politikave të zhvillimit. Ai përshëndeti punën e specialistëve të K. Qarkut, bashkëpunimin e njësive të qëverisjes vendore si dhe grupet e interesit për të gjithë ndihmën e jashtëzakonshme që dhanë në hartimin e kësaj strategjie. Sinaj ka evidentuar tre shtylla kryesore të zhvillimit të rajonit të Beratit: Turizmi, Agrobiznesi dhe Bujqësia. Kryetari i K. Qarkut në fjalën e tij i mëshoi faktit se dymbëdhjetë projektet dhe gjashtë prioritetet që paraqiten në këtë konferencë, do të përmirësojnë ndjeshëm cilësine e jetës së banorëve të gjithë qarkut, madje disa projekte sipas tij brenda dy ose tre vitesh do të njohin realizim total. Paralelisht me këto – evidentoi kryetari i K. Qarkut – ne do të punojmë për forcimin e kapaciteteve njerëzore pasi një qark i zhvilluar patjetër do të thotë burime njerëzore të fuqishme. Duke u ndalur tek situata ekonomike në qarkun e Beratit e cila është nën mesatren e vendit, ai theksoi se zbatimi i prioriteteve dhe politikave të zhvillimit të rajonit patjetër do ta kthejë Qarkun e Beratit në një qark atraktiv për turistët vendas dhe të huaj, me një bujqësi të zhvilluar dhe me një industri agropërpunuese e cila do të jetë edhe një lloj promotore e zhvillimit të bujqësisë. Duke përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve – vijoi më tej kryetari i K. Qarkut Petrit Sinaj – do ta kthejë Qarkun e Beratit në një mjedis ku mund të jetohet mirë, duke lidhur zonat rurale me qendrat e qarkut do të bëjmë të mundur të ndalojmë fenomenin e braktisjes së këtyre zonave.

Comments are closed.