Fillon implementimi i projektit TACTICAL TOURISM

23 Korrik 2018
Comments 0
Category Aktivitete
23 Korrik 2018, Comments 0

Këshilli i Qarkut Berat, i përfaqësuar nga zv. Kryetari Saimir Plaku, Drejtori i Kabinetit Dashmira Tahiraj dhe Këshilltari për projektet e huaja dhe teknologjinë Evis Plaku, mori pjesë në takimin e zhvilluar për fillimin e implementimit të projektit TACTICAL TOURISM “Veprime të specifikuara për ruajtjen, rehabilitimin dhe promovimin e aseteve historike, kulturore dhe natyrore për të inkurajuar zhvillimin e turizmin në zonën ndërkufitare Shqipëri – Greqi.”, i cili u zhvilluar në Gjirokastër, më datë 20.07.2018.

Projekti Tactical Tourism ka për qëllim të krijojë një rrjet bashkëpunimi midis rajoneve në zonën ndërkufitare Shqipëri – Greqi duke krijuar një rrjet autoritetesh publike të cilët janë në gjendje për të materializuar politika dhe veprime për ruajtjen dhe zhvillimin e burimeve natyrore dhe kulturore në interes të zhvillimit të turizmit.

Ky projekt përfshin 7 autoritete publike, më konkretisht: Këshillin e Qarkut Gjirokastër (partner lider), Këshillin e Qarkut Berat dhe partnerët grekë: Rajonin e Ishujve të Jonit, Ministrinë e Kulturës dhe Sportit në Kastoria, Rajonin e Epirit dhe Dhoma Teknike e Greqisë – Departamenti i Maqedonisë Perëndimore.

Produkti kryesor i këtij projekti kategorizohet në 3 drejtime kryesore

  1. Fokusimi në mbrojtjen e pasurisë dhe trashëgimisë kulturore
    • Rehabilitimi i rrugëve në lagjen Goricë, pasuri e mbrojtur nga UNESCO
    • Rehabilitimi i kishave byzantine në Kastoria, Greqi
  2. Krijimi i pikave të reja me interes turistik
    • Rindërtimi i shtëpisë së lindjes së Ali Pashë Tepelenës dhe shndërrimi i saj në një muze
    • Rindërtimi i një godive në Lefkas, Greqi dhe kthimi i saj në një qendër kulturore
    • Muze në ishullin e Lazaretos në Korfuz
    • Krijimi i dy parqeve të zhytjes në Thesprotia dhe Prevezë
  3. Përmirësimi i aksesueshmërisë së pikave me interes turistik
    • Rehabilitimi i një ure në Tepelenë
    • Përmirësimi i aksesit në ishullin e Lazaretos në Korfuz

 

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij projekti është se ai bashkon qytetet e mbrojtura nga UNESCO në zonën ndërkufitare Shqipëri – Greqi (Korfuz, Gjirokastër, Berat) duke krijuar një rrjet të rëndësishëm së bashku me qytetin e Kastorias që ka për qëllim t’i bashkohet këtij rrjeti.

Në takimin e zhvilluar në Gjirokastër morën pjesë përfaqësues të gjithë partnerëve në projekt. Takimi filloi me vlerësimet për rëndësinë e projektit nga ana e institucionit të Këshillit të Qarkut Gjirokastër, si partner lider në projekt, dhe më tej u krye një prezantim i përgjithshëm i aktiviteteve të projektit. U theksuan vlerësimet e Komisionit Evropian për këtë projekt, e veçanërisht për produktin konkret të tij që do të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit në elementë të infrastrukturës dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimeve.

Secili partner në projekt prezantoi institucionin që përfaqëson, rëndësinë që projekti ka për ta dhe serinë e aktiviteteve që do të zhvillohen prej tyre përgjatë implementimit të projektit. Më tej, u diskutuan çështje me rëndësi të veçantë që lidhen me aspektet proceduriale dhe teknike të implementimit të projektit. U dakordësua në parim takimi i radhës.

Këshilli i Qarkut Berat është tërësisht i angazhuar në plotësimin e të gjitha kërkesave të nevojshme për të siguruar një implementim të suksesshëm të projektit.

 

Comments are closed.