Kryetari i Këshillit të Qarkut merr pjesë në punimet e Asamblesë Evropiane të Rajoneve

26 Mars 2018
Comments 0
Category Aktivitete
26 Mars 2018, Comments 0

Kryetari i Këshillit të Qarkut Berat, z. Fatlli Adilaj, i shoqëruar nga Këshilltarët në Kabinetin e tij, z. Syrja Ormënaj dhe z. Evis Plaku morën pjesë në punimet e Asamblesë Europiane të Rajoneve, në Arad, Rumani, përgjatë periudhës 20-22 Mars 2018.

Këto takime rezultuan të frytshme, veçanërisht sa i takon forcimit të bashkëpunimit midis insitucionit të Këshillit të Qarkut Berat, si përfaqësues i pushtetit vendor në Republikën e Shqipërisë, dhe rajoneve pjesë e Asamblesë Evropiane. Bashkëpunimi shumëpalësh u fokusua jo vetëm në shkëmbimin e eksperiencave, njohjen me praktikat më të mira të vetë-qeverisjes vendore, por edhe në identifikimin e partnerëve të përbashkët në projekte zhvillimore me interes për komunitetin.

Më konkretisht, në ditën e parë të takimeve, në datë 20 Mars 2018, u zhvillua një mbledhje e bordit ekzekutiv, në të cilën u analizuan veprimet dhe aktivitetet e deritanishme të asamblesë, dhe u vendos fokusi dhe prioritetet për vitin 2018. Drejtuesit e rajonit dhe bashkisë së Arad, Rumani, shpalosën vizionin dhe platformën e tyre lidhur me zhvillimin e zonës duke ndarë me të ftuarit praktikat më të mira në fuqizimin dhe zhvillimin social ekonomik të rajonit.

Gjatë takimeve u prezantua dhe Asambleja Evropiane e Rajoneve, duke u shpjeguar qëllimi dhe vizioni i saj, si dhe seria e aktiviteteve që kryhet për të përmbushur këtë qëllim. Fokusi u vendos në Politikat e Kohezionit, si e vetmja alternativë e qëndrueshme për të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe zhvillimit të rajoneve. Politikat e kohezionit u konsideruan jo vetëm si themeli i Evropës së unifikuar, por edhe si mjeti kryesor në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, rritjes së investimeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm të rajoneve.

Diskutimet e komiteteve të ndryshme u fokusuan në disa nivele, ku ndër më të rëndësishmit vlen të përmendim: Krijimin e bashkëpunimit shumëpalësh në zhvillimin e ekosistemeve inovative; shëndetësia elektronike; zhvillimi i transportit inovativ; si dhe mundësitë e shanset e barabarta duke u fokusuar në rolin e politikbërësve në shkëmbimin e eksperiencave praktike midis partnerëve të ndryshëm.

Në takimet e Kryetarëve të Këshillave të Qarkut përfaqësues të Shqipërisë me Presidentin e Asamblesë Evropiane të Rajoneve, z. Magnus Berntsson, u theksua një lajm veçanërisht pozitiv për rajonet dhe Shqipërinë. Përfaqësues të kësaj asambleje, duke vlerësuar rolin që kanë luajtur Këshillat e Qarqeve kanë planifikuar të zhvillojne takime me to dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm në Korçë, në datën 21 Qershor. Ky aktivitet konsiderohet një mundësi shumë e mirë për të forcuar bashkëpunimin shumëpalësh dhe për të bashkëpunuar në projekte të ndryshme me rëndësi për komunitetit.

Këshilli i Qarkut Berat mbetet tërësisht i angazhuar për të luajtur rolin e tij institucional në përmirësimin dhe zhvillimin e rajonit.

 

Comments are closed.