Bashkia Poliçan

Pasaporta:      Bashkia Poliçan

Qarku Berat
Qëndra e Bashkisë Qyteti Poliçan
Popullsia sipas Census 2011 10,953
Popullsia sipas Regjistrit Civil 18,341
Sipërfaqja KM² 272.02
Kryetar Bashkie Adriatik Zotkaj
Numri i Anëtarëve të Këshillit Bashkiak 15

PROFILI I BASHKISË

Zona Gjeografike

Poliçani kufizohet në veri dhe në perëndim me bashkinë Berat, në lindje me bashkinë Skrapar, ndërsa në jug dhe jug-lindje me bashkinë Memaliaj. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Poliçanit.

Popullsia:

Sipas Censusit të vitit 2011 numëron 10,953 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 18,341 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 272.02 km2
me një densitet prej 67.42 banorë/km2 sipas regjistrit civil dhe 40 banorë/km2 sipas censusit.

Të dhëna të tjera:

 Bashkia e re e Poliçanit përbëhet nga qyteza ishindustriale e Poliçanit dhe dy komuna të cilat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me qytezën pasi kanë qenë më parë pjesë e rrethit Berat. Nga këto, komuna Tërpan, e cila shtrihet në një terren të thyer malor është më

problematike për shkak se është ngushtësisht e lidhur me Beratin dhe jo me qendrën e re administrative.

Qyteti i Poliçanit ka qenë një qendër e rëndësishme e industrisë ushtarake dhe e industrisë së materialeve të ndërtimit për shkak të burimeve të mëdha të gurit. Poliçani ka qenë më herët një fshat në varësi të Beratit, i cili u shpall qytet në vitin 1967.Industria mekanike pushoi së ekzistuari pas viteve 1990 dhe u kufizua në disa raste vetëm në procesin e demontimit të municioneve, gjë që solli papunësi shumë të lartë në qytezë, e cila filloi të depopullohej nga të rinjtë. Shfrytëzimi i rezervave të gurit vijon sot në mënyrë private. Industria e nxjerrjes së gurit dekorativ është në ditët e sotme një resurs i konsiderueshëm ekonomik për zonën.

Poliçani konsiderohet edhe si një qendër e rëndësishme e Bektashizmit në Shqipëri dhe ka në territorin e saj një pjesë të konsiderueshme të parkut kombëtar të Tomorit. Për rrjedhojë, turizmi fetar dhe ai malor mund të kthehen në një element të rëndësishëm të bashkisë së re.

Njësitë administrative përbërëse

Emri i Njësisë Qytetet dhe fshatrat në përbërje të tyre
Poliçan Qyteti Poliçan
Tërpan Fshatrat; Tërpan, Teman, Paraspuar, Tozhar, Vokopolë, Dodovec, Rehovë, Zhapokikë, Çorogjaf, Panarit, Plashnik i Madh, Lugas, Zhitom i Madh, Zhitom i Vogël
Vërtop Fshatrat; Mbrakull, Vërtop, Kapinovë, Zgërbonjë, Vodicë, Fushë Peshtan, Peshtan, Drenovë, Lybeshë, Tomor i madh, Tomor i vogël, Bregas